
Opozita ka reaguar mbi arrestimin e 3 protestuesve nga policia mëngjesin e sotëm, ndërsa ka bërë thirrje për lirimin e tyre. Anëtarja e kryesisë së Partisë së Rithemelimit, Adriana Kalaja deklaroi se Partia Demokratike e dënon terrorin policor që po bëhet ndaj të rinjve protestues, teksa shton se protestuesit janë ndaluar nga patronazhistët civilë me urdhër të kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm , Taulant Balla.
Kalaja thotë se është në solidaritet me të arrestuarit dhe se shpreh mirënjohjen më të thellë për pjesëmarrjen e tyre në betejën kundër kryetari të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe terrorin policor ndaj të rinjve protestues dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre. U shprehim atyre solidaritetin e plotë të PD dhe mirënjohjen e thellë për pjesëmarrjen në betejën pa kthim kundër kryehajdutit të Tiranës Veliaj, dhe për qëndrimin e tyre burrëror e të pamposhtur para falangave te krimit me uniforme të krerëve te narkoshtetit Rama-Balla.
Patronazhistët e Rilindjes kanë tentuar të marrin me forcë disa prej protestuesve. Pa shenja identifikimi, të veshur civilë dhe me makina personale ata janë vënë në ndjekje të protestuesve”, u shpreh Adriana Kalaja.
Tre shtetas janë arrestuar dhe mbahen në qeli, katër të tjera janë proceduar penalisht dhe tetë janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës për dhunën ndaj efektivëve dhe molotovët që u hodhën në drejtim të godinës së Bashkisë Tiranës. Për dy shtetas të tjerë, vijon puna për identifikimin e tyre, thuhej më herët në deklaratën e policisë.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se protesta ka qenë përgjithësisht e qetë deri në momentin kur e ka marrë fjalën Belind Këlliçi dhe në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).