
Kandidati i Partisë Demokratike në listën e hapur në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja ka bërë një denoncim të fortë duke akuzuar dhe persona brenda radhëve të partisë së tij për vjedhje votash.
I ftuar në Top Story, Kalaja është shprehur se rastin e ka dërguar në SPAK teksa pretendon se persona nga brenda PD i kanë vjedhur votat, teksa shprehet se votat e tij janë manipuluar nga brenda kutisë.
Aulon Kalaja paraprakisht ka siguruar 7255 vota, ndërsa rezulton i dyti në listën e Durrësit si kandidati më i votuar, por pa arritur të sigurojë një mandat. I vetmi që ka arritur të fitojë mandatin deri më tani nga lista e hapur e PD në qarkun Durrës, është ish-prokurori Arian Ndoja, i cili ka siguruar 8209 vota.
“I kam bërë thirrje SPAK, që këtë telefon ta vinin në përgjim dhe të shihnin kam blerë vota. Këto janë vota të pastra, unë nuk i njoh njerëzit që më kanë votuar. E kam me konkurrentët brenda partisë, jo vetëm ma kanë vjedhur por dhe ma kanë trafikuar brenda kutisë, dhe për këtë do të bëjë kallëzim. Krimi është brenda kutisë, dhe i kam lënë vetë, që të shkojmë në prokurori se dikush duhet të bëhet shembull”, u shpreh ai.