Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur kundër marrjes së drejtimit të kësaj force politike nga Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit dhe liderit historik të saj, Sali Berisha. Ajo ka thënë për Zërin e Amerikës se partisë i duhet meritokracia, përtej individëve.
E pyetur për faktin se kohët e fundit vajza e Berishës është shfaqur shumë shpesh në media dhe në tubimet opozitare, duke lënë të kuptohet se do të përfshihet në politikë.
Zëri i Amerikës: Lidhur me Argita Malltezin, a e sheh shihni ju atë si kryetare të munshme të partisë, nisur nga fakti që kohët e fundit ajo ka marrë një rol më të spikatur në politikë?
Jorida Tabaku: Ne gjithë ditën flasim për zgjedhje të lira e të ndershme. Flasim për demokracinë. Flasim për meritokraci dhe unë besoj që këto janë vlerat që duhet të ketë dhe duhet të mbajë edhe Partia Demokratike, për të tejkaluar përtej individëve. Nuk ka rëndësi çfarë bën sot Jorida, Argita, Gazi, zoti Basha, apo kushdo. Për ne ka rëndësi që Partia Demokratike që është një aset kombëtar ta transmetojë këtë frymë dhe të lërë si legacy, të lërë si një ligjshmëri mbasi secili prej nesh të ketë ikur, pikërisht këtë frymë. Është krijuar me disa vlera besoj të rëndësishme, bazuar mbi vlerat europiane, vlerat amerikane dhe mbi këto duhet të vazhdojë. Ashtu siç besoj edhe për Shqipërinë, ashtu siç besoj për ekonominë, ne duhet patjetër që të lëmë frymë perëndimore. Shqipëria është Evropë. Partia Demokratike është evropiane. Çdo gjë tek ajo që bëjmë është evropiane, por ne duhet të jemi perëndimorë. Dhe kjo frymë vjen duke u bazuar tek vlerat që ka Perëndimi.
Edhe dje në një intervistë në Vizion Plus, Argita Malltezi tregoi se mes demokratëve ka shumë persona të cilët dëshirojnë që ajo të kandidojë për postin e kryetares, ashtu siç ka edhe të tjerë të cilët kanë një tjetër mendim, siç është Myslim Murrizi dhe Belind Këlliçi. Pra, që janë kundër saj.
Ndërkohë, e pyetur për situatën në të cilën ndodhet Sali Berisha, tashmë nën një proces gjyqësor dhe i shpallur zyrtarisht non-grata nga dy shtete, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jorida Tabaku ka thënë se ai është një njeri që i ka dhënë shumë PD-së dhe Shqipërisë.
Megjithatë, deputetja demokrate ka theksuar se pavarësisht se përballja e Sali Berishës nuk është lajm i mirë për të, ashtu si për të gjithë demokratët, ai duhet të ndahej nga Partia Demokratike në këtë betejë personale.
Zëri i Amerikës: A shihni ju një të ardhme për PD-në me Berishën në krye, një politikan që është shpallur non-grata në SHBA dhe Britaninë e Madhe?
Jorida Tabaku: Edhe për këtë çështje, unë kam të njëjtin qëndrim që kam mbajtur në këto vite. Unë kam respekt dhe vlerësim për zotin Berisha që e kam shprehur edhe në raste të tjera dhe nuk do të kisha dashur që t’i kishte ndodhur kjo gjë. Nuk është një lajm i mirë, as për PD-në, as për zotin Berisha, as për Shqipërinë. Është një figurë që ka ndikuar shumë jo vetëm në Partinë Demokratike, por edhe në Shqipëri. Por do kisha shpresuar që beteja e tij personale të ndahej nga Partia Demokratike, për ta tejkaluar këtë moment. Dhe besoj që kemi shumë mundësi dhe kemi shumë hapësirë, kemi edhe kohë për zgjedhjet e ardhshme, për t’u fokusuar pikërisht tek ajo që ka rëndësi për njerëzit, tek zgjerimi i Partisë Demokratike, tek fryma që mund të krijojmë, por njëkohësisht edhe tek alternativa jonë.