Hapësire reklamuese

Politikë

Argita Malltezi flet për përfshirjen në politikë: Do ta bëj sipas Statutit të partisë, PD nuk është trashëgimi familjare e jona!

Shkruar nga Newsbomb
Argita Malltezi flet për përfshirjen në politikë: Do ta
Ilustrim: Sali Berisha - Argita Malltezi

Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi ka lënë të hapur çdo mundësi për përfshirje në politikë, pas procesit gjyqësor që ka nisur ndaj babait dhe bashkëshortit të saj. Ajo është shprehur se kur të jetë momenti i duhur, do ta bëjë sipas rregullave dhe Statutit të PD.

"Politika aktive nuk ka qenë kurrë synimi im. Dhe nuk kam patur një projekt. Politika ka qenë gjithnjë pjesë integrale e jetës sime, pjesë kushtëzuese e jetës sime, por jo angazhimi politik si profesion. Por duke thënë këtë, prapë dua ta përsëris, edhe pse ju i quani fraza klishe, por nuk është kështu, pra, nëse vendos ta bëj, do ta bëj sipas procedurave të PD, sipas statutit të PD dhe gjithmonë me koshiencën e plotë që trashëgimia e Sali Berishës nuk është trashëgimi familjare, është trashëgimi e personave që kanë kontribuar në PD për 32 vite dhe e kanë mbështetur Berishën, përpjekjet e PD-së në qeveri dhe në opozitë gjatë këtyre 32 viteve", është shprehur ajo.

Argita Malltezi ka rrëfyer në një intervistë për gazetaren Elona Meço në RTSH se rrugëstimi i saj nuk do të ishte kryqëzuar me politikën nëse nuk do të ishin zhvillimet e Tetorit 2023, kur ndaj babait dhe bashkëshortit të saj u komunikuan akuzat zyrtare nga SPAK.

"Nëse do të ketë nevojë, do të angazhohem sipas nevojave që do të krijohen. Nuk mund të them asgjë tjetër sepse, realisht, nuk është diçka që mund ta parashikoj", ka theksuar ajo, duke shpresuar se Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi do ta fitojnë betejën me drejtësinë.

Nëse kjo ndodh, profesoresha e Juridikut thotë se do të ndjekë rrjedhën normale të jetës, siç ishte para Tetorit 2023, dhe politika nuk ishte pjesë e saj.

"Unë shpresoj që gjërat të vijnë në rrjedhën normale dhe unë të rimarr rrjedhën time normale të jetës, atë që kisha planifikuar dhe kisha planifikuar shumë gjëra në fakt. Politika nuk ishte një prej tyre. Nëse ndodh që nuk do të rikthehem shpejt në rrjedhën që kisha planifikuar, këtu jam, përsëri do të flasim", përmbylli Argita Malltezi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese