Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme, Altin Dumani ka qenë dje, më 18 shtator në Bernë dhe ka zhvilluar një takim konstruktiv me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës, Stefan Blättler. Dy kryeprokurorët, kanë diskutuar për zhvillimet më të fundit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit.
Dumani dhe Blättler rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin e shkëlqyer të nisur midis të dy zyrave përkatëse duke u bazuar në të drejtën e brendshme dhe instrumenteve ligjore ndërkombëtare të nënshkruar nga të dy shtetet përkatëse.
SPAK thotë se bashkëpunimi ndërkombëtar i këtij lloji është thelbësor për të luftuar në mënyrë efektive të gjitha format e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar. Dy kryeprokurorët kanë theksuar dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të mira midis institucioneve.
Në Zvicër ndodhej prej më shumë se një viti ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale, por nuk dihet nëse kjo temë është hapur nga kryeprokurori Altin Dumani, gjatë bisedës me homologun zviceran.
SPAK e ka shpallur zyrtarin e lartë socialist në kërkim ndërkombëtar, por ai mësohet se ka aplikuar për azil në Zvicër, bashkë me partneren Erjola Hoxha me vajzën e mitur. Arben Ahmetaj ka dhënë dy intervista nga arratia dhe ka akuzuar SPAK dhe kryeministrin Edi Rama për sulm politik.
Ky bashkëpunim ofron mundësi të shkëlqyera për vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira dhe për krijimin e strategjive dhe njësive të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dy vendet, njofton SPAK.
Altin Dumani dhe Stefan Blättler nënvizuan se kjo frymë pozitive bashkëpunimi do të forcojë më tej përpjekjet e përbashkëta për një rend ligjor më të sigurt në të dy vendet dhe në rajon.