
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka shtyrë sërish shpalljen e vendimit lidhur me kërkesën e bërë nga Jamarbër Malltezi për revokim të masës së sigurisë.
Paraditen e kësaj të enjte, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi shtyrjen e seancës për ditën e nesërme, në orën 10:30.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave penale “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Prej nëntorit të 2023 ai ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi është marrë i pandehur lidhur me dosjen “Partizani”.
Ndërkohë në 15 janar të këtij viti, Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e Malltezit i cili kërkoi kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.
Përmes një njoftimi zyrtar Gjykata Kushtetuese argumentoi arsyet pas analizimit të kërkesave të Jamarber Malltezit, i cili pretendonte se masat e sigurimit ndaj tij, përfshirë arrestin në shtëpi, kanë cenuar të drejtat e tij të lirisë personale dhe jetës private.
“Po sipas gjykatës së apelit, masa e arrestit në shtëpi garanton praninë në procedim të kërkuesit; ajo respekton parimin e proporcionalitetit, përshtatshmërisë dhe gradualitetit, sepse njihet nga ligjvënësi si alternativë e paraburgimit për fuqinë shtrënguese maksimale që ofron, e cila, po ashtu, është në raport të drejtë me rëndësinë e fakteve penale dhe sanksionet e parashikuara për veprat penale konkrete, për të cilat ai dyshohet.
Arsyetimi i gjykatës së apelit nuk është cenuar nga Gjykata e Lartë, e cila ka vlerësuar se shkaqet në rekurs që lidheshin me proporcionalitetin e masës së sigurimit haptazi kanë karakter të mirëfilltë faktual vlerësues, që është atribut ekskluziv i gjykatave të faktit.
Për këto arsye, pretendimi i kërkuesit se masa e caktuar ndaj tij nuk është proporcionale është i pabazuar”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.
Akuzat ndaj tij:
– Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.