
Nënkryetari i ish-PD-së, Roland Bejko ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila disa ditë më parë vendosi për t’i dhënë vulën dhe logon e Partisë Demokratike, ish-kryeministrit Sali Berisha.
I ftuar në emisionin “Real Story”, Bejko u shpreh se Apeli nuk dha një përgjigje të qartë se cili nga dy kuvendet e mbajtura ishte i ligjshëm, i 18 dhjetorit i mbajtur nga Lulzim Basha apo kuvendi i Berishës në 11 dhjetor.
“Ka lëvizje dinamike dhe të paparashikuara. Siç ishte momenti i dhënies së logos dhe vulës. Ne prisnim që Apeli të kthente përgjigjen që prisnin të gjithë, përgjigjja që ka dhënë Apeli është një vendim që nuk thotë se cili nga Kuvendet ishte i ligjshëm, i 18 dhjetorit, i bërë nga Basha apo ai i bërë nga Berisha”- u shpreh Bejko.
Për Bejkon, Berishës nuk ka se çfarë i duhet vula, pasi ai është në një moment të jetës ku nuk mund të sjellë ndryshime, por vetëm sa do të fundosë Partinë Demokratike.
“Për çfarë i duhet vula? Që ta varrosi, ta marri me vete. Është si ajo puna që i mbyturi të mbyt”,- u shpreh Bejko.
Gjithashtu, Bejko shton se Kuvendi i Berishës ishte i paligjshëm pasi ushtroi dhunë, ndërsa evidenton se strukturat e PD-së i kërkuan ish-kryeministrit Sali Berisha që të kandidonin me vulën zyrtare, por ai nuk pranoi pasi kërkonte të dilte para shqiptarëve dhe amerikanëve si fitues.
“Çfarë bëri Berisha të paligjshme? Kuvendin. Dhuna ishte, ishte verbale. Në 14 maj ju e patë çfarë diversioni u bë brenda PD-së. Sali Berishës iu tha të merrte kandidatët e tij që të kandidonin me vulën e PD-së, por ai nuk pranoi, pasi donte që para shqiptarëve dhe amerikanëve të paraqitej si një njeri që i fitonte gjërat. Ai thoshte ‘më jepni mua amnisti, meqë kam qenë kryeministër, president dhe kryetar i PD-së”,- u shpreh Bejko.