
Anëtarët e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë kanë zbritur në terren për të vëzhguar nga afër mjediset e Sterilizimit në Spitalin e Durrësit.
Në kuadër të planit të miratuar të vizitave 2-javore, kryetarja e këtij Komisioni Albana Vokshi dhe nënkryetari i saj, deputeti i PS, Plarent Ndreca kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e spitalit të Durrësit, dhe më pas kanë vizituar nga afër mjediset ku bëhet sterilizimi i pajisjeve mjekësore të tij.
Kryetarja Albana Vokshi u shpreh se vendimi për të zhvilluar vizitën e parë të Komisionit në Spitalin e Durrësit, vjen për shkak të rëndësisë që ka ky spital në vend, ndërsa shtoi se informacioni i marrë nga vëzhgimet e ditës së sotme do të jenë në dizpozicion të hetimeve të Komisionit për konçesionet.
Në kahun tjetër, nënkryetari i këtij komisioni, deputeti Plarent Ndreca, tha se kjo është një vizitë informuese që do të vijojë edhe në institucione të tjera, në shërbim të plotësimit të kuadrit të Komisioni Hetimor, që ka si qëllim mbylljen e tij në datën 22 korrik të këtij viti.
Komisioni Hetimor i Shëndetësisë u ngrit në muajin prill të këtij viti me dakordësinë e palëve politike, që ka si qëllim hetimin e koncesioneve për Sterilizimi dhe Check-Up.