Komisioni për Çështjet Europiane është zhvilluar mes debateve dhe toneve të larta pas disa akuzave të forta që kryetarja e këtij komisioni, deputetja e PD, Jorida Tabaku ka hedhur në drejtim të trupit diplomatik dhe qeverisë Rama. Duke iu drejtuar ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, Tabaku tha se ambasadorët kanë marrë pjesë në në takimet elektorale të Edi Ramës që ka zhvilluar me diasporën.
Hasani i ia mohuar kategorikisht këto akuza duke thënë se trupi diplomatik dhe ambasadorët e kanë detyrim të shoqërojnë kryeministrin në takime zyrtare duke hedhur poshtë akuzat me pretendimin se ato takime nuk kanë patur aspak karakter politik.
“Kanë qenë takimet e kryeministrit me përfaqësues të diasporës…s’është përdorur parullë, postera apo batuta politike dhe thirrje. Kanë qenë takime me diasporën, për të ardhmen, europën, progresin dhe të mirat për shqiptarët. Për asnjë moment s’është folur për pjesë programi partiak”, ka thënë Igli Hasani.
Deputetja Tabaku ngriti dyshime mbi këtë çështje duke pretenduar se janë 48 raste ku ambasadorë dhe pjesëtarë të trupës diplomatike kanë marrë pjesë në takime apo fushata elektorale të qeverisë Rama.
Pjesë nga debati:
Jorida Tabaku: A ka një koment ministria e jashtme lidhur me përfshirjen e ambasadorëve në fushatën elektorale dhe në procesin electoral të kryeministrit Edi Rama?
Igli Hasani: Nuk jemi në fushatë elektorale. Ju e dini më mirë se unë fushata hapet shumë më vonë. Së dyti për asnjë moment nuk ka pasur takim partiak apo politik, por kanë qenë takime të kryeministrit me përfaqësues të diasporës në qytete të rëndësishme nëpër botë. Nuk është përdorur asnjë logo, asnjë Flamur, asnjë batutë që kanë të bëjnë me partinë që ai drejton. Është folur për Shqipërinë, e shqiptarët, e luftën kundër korrupsionit e të mirave që duam ti japim shqiptarëve. Në asnjë moment nuk është folur për pjesë të programeve partiake. Më e rëndësishmja diplomatët kanë detyrimin që të shoqërojnë kryeministrin e vendit të tyre, në ato aktivitete ku marrin pjesë. Nuk kanë mbajtur Flamur apo parrulla, por kanë shoqëruar kryeministrin. E kanë detyrim edhe për liderin e opoziztës, sipas ceremonialit shtetëror. Të mos keqintepretojmë asnjë moment.
Jorida Tabaku: Në ato takime ka qenë pjesë edhe Blendi Klosi si përfaqësues i PS. Gjithashtu janë 48 aktivitete që i kam numëruar vetë ku trupa diplomatike është bërë pjesë dhe ku ka pasur raste ku për 25 minuta është folur kundër opozitës, ndaj kundërshtarit. Këtu është kaluar caku. Nuk duhet të kalohet caku dhe ata nuk duhet të ishin bërë pjesë. Kanë qenë aktivitete politike me prezencë edhe të sekretarit të përgjithsëm i partisë. Për mua ka një cak qe nuk duhet kaluar. Përfaqësuesit e trup diplomatike nuk duhet të marrin pejsë në ato takime. E kanlon cakun kur flitet 25 minuta pa ndërprerje për kundërshtarin.