Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela gjatë një komunikimi me gazetarët ka komentuar akuzat e ish-presidentit Ilir Meta ndaj SPAK dhe Altin Dumantit.
Ai tha se në lidhje me këtë çështje KLP e ka dhënë përgjigjen, duke nënkuptuar se mban të njëjtën linjë me Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas Çelës, Prokuroria e Përgjithshme ka një bashkëpunim në nivele të kënaqshme me SPAK.
"Po i përgjigjemi sot çështjeve më emergjente. Kemi performancë më të mirë të Prokurorive. Përgjigjen tashmë e ka dhënë KLP. Numri i të dënuarve është më i lartë dhe sistemi po funksionon. Bashkëpunimi ynë me SPAK ka qenë shumë i mirë, performanca që kemi arritur përmes bashkëpunimit ka qenë në nivele të kënaqshme," tha Çela.
Kujtojmë se Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
KLP i cilëson deklarata e Metës shqetësuese dhe bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
"Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.
Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush," theksohej në njoftimin er KLP.