
Në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxën është evidentuar edhe roli i deputetes socialiste, Klotilda Bushkën.
Në fashikujt e kësaj dosje gjendet dhe dëshmia e ish-drejtoreshës së BYL-A, Ina Goxhaj e cila ka treguar takimet me Bushkën dhe Ajola Xoxën dhe se si këto dy të fundit i kanë asgjesuar telefonin dhe i kanë dhënë një tjetër telefon të llojit Iphone.
Madje, Bushka, Xoxa dhe avokati morën vendimin që Goxhaj (e cila në dosje thuhet se është kushërira e Klotilda Bushkës) të mos paraqitej në SPAK.
“Deklaruesja shpjegon se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo (Ina) të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më pas i ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjësonin”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Pjesë nga dosja e SPAK:
136. E pyetur në datë 13.12.2024 si person që ka dijeni për veprën penale, shtetësja Ina Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e qendrës BYL-A, e cila ndër të tjera ka deklaruar: [...]
Pas njoftimit për t'u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ka realizuar disa takime me shtetasen Klotilda Bushka, Ajola Xoxa, apo edhe me disa avokatë.
Takimi i parë është zhvilluar me shtetasen Klotilda Bushka (të cilën e ka kushërirë) në datë 10.12.2024, në banesën e prindërve të Klotildës që ndodhet pranë Shkollës së Kuqe. Ka shpjeguar se në këtë takim i ka treguar Klotildës që e kanë thërritur në prokurori, dhe Klotilda e ka urdhëruar që të mohonte gjithçka gjatë pyetjes së saj. Takimi i dytë është zhvilluar pasdite në datë 11.12.2024, në ambientet e një zyre avokatie, ku pikë kontakti për këtë takim ka shërbyer shtetasi Erald Ismaili i cili e ka telefonuar vetë shtetasen Ina Goxhaj.
Në takim ka gjetur Klotilda Bushkën, dhe një djalë tjetër të cilin nuk e di kush është. Fillimisht, ka biseduar me Klotildën, për të cilën sqaron se ajo e mësonte se çfarë duhej të thoshte, gjërat që do të mohoheshin në mënyrë kategorike. Klotilda i ka treguar Inës se gjatë deklarimit duhej të thoshte që ajo (Ina) ishte nismëtare e projektit të dancit, por është marrë Harabeli me organizimin. Shqetësimi tjetër i Klotildës lidhej me adresën e selisë së BYL-A, që s'duhet të dilte që ishte shtëpia e saj.
Po kështu, deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka dhënë një dokument i cili shërbente për ndryshimin e adresës së qendrës BYL-A dhe i ka sugjeruar Inës që të deklarojë që ka qenë neglizhencë e saj mosndryshimi i adresës. Në këtë takim, është bashkuar edhe Ajola Xoxa, e cila i ka kërkuar Inës që t'ia dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte.
Ina Goxhaj ka deklaruar se nuk ka dashur që t'i jepte telefonin e saj të markës Samsung A35, por është ndjerë e detyruar nga Ajola Xoxa. Deklaruesja shpjegon se Ajola Xoxa ka lexuar komunikimet e zhvilluara ndërmjet saj (Inës) dhe Adela Kondakçiut, apo e dhe me Ketrina Brahon dhe ishte e shqetësuar, por Ina deklaron se personalisht nuk u ndie në faj pasi mesazhet ishin një e vërtetë e madhe.
Deklaruesja shpjegon se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo (Ina) të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më pas i ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjesonin.
Po kështu, deklaruesja shprehet se avokatët ishin të shqetësuar pasi në Prokurori ishte paraqitur dhe Adela Kondakçiu. Duke nisur nga zgjatja e deklarimeve të kësaj shtetase, ata ishin në merak mos Adela kishte folur para hetuesve.
Deklaruesja shprehet se është larguar nga ky takim, për të vijuar takimin me Klotildën në banesën e prindërve të saj. Po kështu, shpjegon se Klotilda i ka thënë se nuk duhej të përmendte emrin e Ajolës apo të tregonte se si kishin funksionuar gjërat.
Shpjegon se Klotilda i ka kthyer telefonin Samsung A35, me qëllim që të kopjonte të dhënat e nevojshme dhe t'ia kthente sërisht për asgjesim. Ina Goxhaj shpjegon se edhe në fakt kështu ka ndodhur.
Në datë 12.12.2024, kjo shtetase deklaron se i ka dhënë Klotildës telefonin Samsung A35 me qëllim asgjesimin e tij. Shpjegon se sipas udhëzimeve të avokatit, Ajolës dhe Klotildës, ka lajmëruar oficerët se nuk mund të paraqitej në prokurori për arsye shëndetësore.