Hapësire reklamuese

Politikë

Agron Shehaj bën pyetje për Guvernatorin Sejko, kryetari Shalsi i "Ekonomisë" i heq fjalën (DEBATET)

Shkruar nga Newsbomb
Agron Shehaj bën pyetje për Guvernatorin Sejko, kryetari Shalsi i
Fotomontazh nga mbledhja e Komisionit: Agron Shehaj, Eduard Shalsi dhe Guvernatori Sejko

Me tone të ashpra u ndërpre mbledhja e Komisionit të Ekonomisë ku Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, është thirrur nga një grup deputetësh të PD për të informuar komisionin e ekonomisë në Parlament për operimin e mikrokredive jobanka që prej shumë vitesh po bëjnë terror tek konsumatorët.

Pas përfundimit të një raportimi për punën e Bankës në këtë drejtim, në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, Agron Shehaj, deputet i PD, i kërkoi Shalsit të bënte pyetje dhe ky tha se do të përfshiheshin disa blloqe pyetjesh. Por kur Guvernatori po jepte sqarim për interesat e këtyre kredive dhe Shehaj ndërhyri duke specifikuar kamatvonesat, Shalsi i kujtoi Shehajt rregulloren.

“Mos ndërhy. Do ndërpres mbledhjen. Rregullorja thotë se po mungove tre mbledhje pa arye përjashtohesh nga komisioni”, tha Eduard Shalsi, një reagim rrufe për pyetjet e deputetëve të opozitës.

Shehaj u ngrit në këmbë dhe i kujtoi Shalsit se po tenton të prishë mbledhjen dhe po e bën këtë që deputeti të mos reagojë për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë.

Në debat u përfshi edhe Jorida Tabaku.

“Zoti Shalsi na lër të bëjmë punën dhe mos e ngri zërin, këtu në komision” tha Jorida Tabaku.

“Na lejo të bëjmë punën. Pse e ndërpret mbledhjen. Pse do të më përjashtosh. Cili është qëllimi yt” ishte reagimi i Agron Shehajt ndaj reagimit ekstrem të Shalsit që në krye të herës.

Mbledhja u ndërpre dhe pritet të rifillojë.

Deputetët e opozitës janë vënë në dijeni dhe kanë në dorë një raport të Bankës së Shqipërisë të vitit 2020 ku evidentohen gjithë shkeljet e MCA si një institucion që nuk ka zbatuar detyrimet dhe sugjerimet e Bankës së Shqipërisë, por që kjo e fundit është lejuar të operojë. Raporti i konsideruar “sekret” që tashmë gjendet në duart e deputetëve, siç duket ka vënë në siklet palët.

RIFILLIMI I MBLEDHJES

Pas disa minutash ndërprerje mbledhja filloi sërish me po të njëjtat tensione dhe debate, kësaj here deputeti Agron Shehaj nuk kishte të drejtën e fjalës pasi iu hoq nga kryetari i këtij komisioni, Eduard Shalsi.

Teksa guvernatori Sejko po shpjegonte dhe po u përgjigjej pyetjeve të deputetëve, ai tha se mund të ketë raste kredish për të cilat qytetarët nuk kanë qenë në dijeni. Kjo deklaratë e Sejkos u kundërshtua nga deputeti Shehaj, i cili ndonëse pa mikrofon dhe të drejtën e fjalës, ngriti zërin në sallë duke “ia përplasur” guvernatorit se nuk janë vetëm disa raste, por qindra-mijëra.

Ky reagim i Shehajt solli sërish debate në këtë komision ku kryetari Shalsi e paralajmëroi për të disatën herë dhe vijoi të theksonte se shqiptarët janë të zgjuar dhe dinë të ndajnë faktet dhe deklaratat “fake”.

"Zotit Shehaj mos i jepni përgjigje të lutem. Zotit Shehaj i tërheq vërejtje për ndërhyrjet e parregullta në Komision", iu drejtua Shalsi deputetit Shehaj. 

Pjesë nga debati:

Sejko: Mund të ketë raste kredish që nuk kanë qenë në dijeni të detyrimit, detyrimi mund të mos jetë mbyllur, nuk i di.

Shehaj: Ka me qindra mijëra raste. 

Sejko: Nuk janë me qindra mija raste, zoti Shehu të lutem se kam shumë respekt ndaj teje. Unë nuk buzëqesh asnjëherë për problemet. Më the mos ndërhy dhe unë nuk të ndërhyrja, pse më ndërhyn në përgjigje. Qindra mijëra raste nuk është e saktë.

Eduard Shalsi: Zoti Guvernator një sekondë, të lutem. Zotit Shehaj mos i jepni përgjigje të lutem. Zotit Shehaj i tërheq vërejtje për ndërhyrjet e parregullta në Komision. Guvernator të lutem. Zotit Shehaj i tërheq vërejtje. Nuk është synimi të zbardhë të vërtetën por të bëjë protagonizmin dhe po të them zyrtarisht që të tërheq vërejtjen në komision për mosparaqitje, ndërhyrje dhe çakordim me qëllim të komisionit. Ka arritur disa konkluzionet do të vazhdojë me qindra-mijërat e tij do të mbjellë panik, nuk e di çfarë qëllime ka. I kam hequr të drejtën e fjalës, rast i përsëritur. Ka një vit që nuk vjen në mbledhje komisioni, rregullorja thotë që duhet të vijë dhe nëse mungon në 3 mbledhje rresht kërkohet zëvendësimi.

Ndërkohë tani do të bëjë zhurmuesin kjo është mënyra operandi dhe pesandi e kësaj kategorie deputetësh që s’kanë kuptuar pse janë këtu dhe çfarë roli kanë. Guvernator të lutem shumë jemi në finale dhe këtu nuk është shqetësim protagonizmi i një deputeti por jemi për t’ju përgjigjur të gjithë deputetëve të tjerë. Të lutem vijoni me përgjigjet, i pëlqejnë apo jo një deputeti, ata që na dëgjojnë dhe na shikojnë janë majftueshëm shqiptarë të zgjuar për të ndarë faktet dhe fake news.      

 

 

 

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese