Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, është shprehur për fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e fundit në SHBA dhe ndikimin që kjo mund të ketë për statusin “non grata” të Sali Berishës.
Ai theksoi se ardhja e Trump mund të sjellë ndikime të rëndësishme në këtë çështje, duke argumentuar se dosja e ngritur kundër Berishës është e pabazuar.
Bylykbashi theksoi se instrumentet ligjore në Shqipëri po përdoren për të ndëshkuar kundërshtarët politikë, ndërsa në SHBA, përballja e Trump me mediat dhe kundërshtarët e tij rezultoi në një fitore.
“E kam dëgjuar z. Grenell që ka thënë që nuk ekzistonte një dosje atëherë. E dyta, e dimë shumë mirë që kjo histori lidhet me një politikë specifike. Askush nuk ka më dyshime për historinë e McGonigal dhe Ramës.
Së pari, ne kemi një rikthim historik që nuk donin ta linin të kandidonte, donin ta dënonin, gjithë mediat kundër dhe si përfundim fitoi. Kurse në Shqipëri instrumenti përdoret për të nxjerrë kundërshtarin politik që të rrezikon, për ta futur në burg. Në informacionin më të mirë, ajo dosje është bosh, maksimumi ka tituj gazetash.
Është në dorën e Presidentit, por fut në kuadratë shumë nga këta instrumente ekstrapolitikë që kanë ndikim gjigand në Shqipëri. Në këtë histori jam i sigurt se do ketë ndikime të forta. Të shohim se çfarë do të ndodhë më tutje”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi shtoi se në vitin 2025 parashikon një ndryshim politik, duke theksuar se largimi i Ramës do të hapë një kapitull të ri për Shqipërinë.
“Në grupin e tij parlamentar, nuk gjen figura të pandotura nga korrupsioni. Situata në të cilën e ka lënë vendin është alarmante, por besoj se opozita do të bashkojë forcat për t’i bërë ballë kësaj sfide,” përfundoi ai.