
Deputeti Agron Shehaj ka deklaruar se partia “Mundësia” e krijuar nga ai dhe e prezantuar në Konventën e mbajtur në Pallatin e Kongreseve të shtunën e shkuar është një mundësi për të parë përtej zgjedhjeve të ardhshme.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Shehaj shprehet se hyrja e një partie të re të djathtë në elektorat nuk do të thotë që domosdoshmërisht ndikon negativisht tek opozita, edhe pse ka një tendecë që të shikohet në këtë mënyrë, por ajo është një projekt politik afatgjatë që nuk shikon rezultatin e vetëm këtyre zgjedhjeve, por edhe të tjerava që do e pasojnë ndër vite.
Sipas deputetit Shehaj, dobësimi i opozitës ka ardhur për shkak të projekteve afatshkurtra që ajo ka patur dhe kjo ka sjellë ngushtimin e elektoratit duke u përkthyer në humbje të shumë votave.
“Kjo është një gjë që diskututohet shpesh kur jemi parti të reja politike. Unë do thosha që nuk shikoj vetëm zgjedhjet e ardhshme. Eshtë kjo tendenca për të parë vetëm efektet mbi zgjedhjet e ardhshme, pa parë përtej zgjedhjeve të ardhshme.
Projekti politikë që ne po ndërtojmë, sigurisht që shikon rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, edhe ai është një rezultat i rëndësishëm. Por ky është një projekt politikë afatgjatë. Nëse jemi në këtë gjendje është sepse opozita nuk ka patur një projekt afatgjatë, por ka menduar gjithmonë për zgjedhjet e radhës”,- u shpreh deputeti, Agron Shehaj.