
Fjalimet e zbardhura të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për katër vite do t'i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë plotë 745 milionë lekë. Ky është objekti i tenderit të fundit të shpallur nga Shërbimi i Prokurimeve, pranë Kuvendit.
Parlamenti Shqiptar thotë se ka nevojë për një zgjidhje që do të ndihmojë në transkriptimin e të gjitha takimeve pjesë e aktivitetit parlamentar (seancë plenare, mbledhje komisionesh parlamentare, të përhershme dhe të posaçme, dhe çdo mbledhje tjetër të forumeve të Kuvendit).
Në këto Kushte, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të shpallë një tender me vlerë 74,584,800 Lekë të reja më datë 5 Qershor 2024 dhe afati i fundit për të gjitha kompanitë e interesuara është 8 Korriku 2024.
Deri në vitin 2020, sipas Qendrës Europiane për Kërkimin dhe Dokumentacionin Parlamentar (ECPRD) të cilës i referohet Kuvendi i Shqipërisë, vetëm tre parlamente përdorin transkriptim automatik: Italia, Irlanda dhe Gjeorgjia.
Nga totali i fondit limit të përllogaritur në vlerën e 74.584.800 ( shtatëdhjetë e katër milionë e pesëqind e tetëdhjetë e katër mijë e tetëqind) lekë pa TVSH, është vendosur që shuma të përdoret si më poshtë:
a- Blerje e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale, me vlerë fondi të përllogaritur në 41.420.000 (dyzet e një milion e katërqind e njëzet mijë) lekë pa Tvsh.
b- Mirëmbajtje për 48 (dyzet e tetë) muaj me vlerë fondi të përllogaritur deri në 33.164.800 (tridhjetë e tre milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind) lekë pa TVSH.
Kompanitë e interesuara duhet të sigurohen që sistemi që kërkohet duhet të plotësojë disa kritere, si njohja automatike e folësve, njohja e gjuhës strandarde shqipe dhe me kalimin e kohës dhe gjuhës jo strandarde që përdoret në seancat dhe komisionet parlamentare, si dhe t'i shpërndajë ato në grupe të ndryshme, si media dhe forume.
Kuvendi i Shqipërisë argumenton se qëllimi i punës së këtij shërbimi është që publiku të kuptojë qartë komunikimin e deputetëve dhe të palëve të përfshira në aktivitetin parlamentar, duke shtuar kështu transparencën dhe saktësinë në prodhimin e dokumentacionit arkivor parlamentar.
© Newsbomb.al