Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme paraditen e kësaj të hëne. Ai është pyetur nga prokurorët e SPAK në kuadër të hetimeve për "21 Janarin", ku 4 protestues u vranë nga armët e shtetit.
"U pyeta si protestues" u ka thënë Arben Çuko gazetarëve që e kanë pyetur përpara organit të akuzës. Ai është i radhës mes disa zyrtarëve të lartë socialistë që kanë qenë ditët e fundit në SPAK për këtë dosje, shkruan newsbomb.
"Janë vrarë 4 njerëz, nuk mund të lihet pa u zbardhur", vijoi më tej ish-deputeti. Arben Çuko ka qenë për dy mandate përfaqësues i votuesve socialistë në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë, në SPAK sot është paraqitur dhe deputeti Asllan Dogjani. Ky i fundit përfaqësues i Partisë Demokratike, por deri në vitin 2013 ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste dhe deputet i saj në Kuvend. Edhe në kohën e protestës së 21 Janarit, ai ka qenë me PS.
Mesa duket, pavarësisht grupimit politik ku bën pjesë sot, Asllan Dogjani është thirrur të pyetet dhe për kohën kur aderonte në Partinë Socialiste dhe u printe mbështetësve socialistë në protestat kundër qeverisë së Sali Berishës.
Siç ka rezultuar nga deklarata pas marrjes 3 orë në pyetje, Asllan Dogjani është shprehur se nuk është pyetur për 21 Janari, por për një hetim pasuror. Ai tregoi se ka qenë në shesh në 21 Janar dhe është i gatshëm të flasë nëse do të thirret, por sot nuk ishte për këtë dosje.