
Ngjarja tragjike e 21 Janarit të vitit 2011, në Tiranë, ku humbën jetën katër protestues të pafajshëm, e kanë kujtuar sot politikanë dhe përfaqësues të mazhorancës. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili mori pjesë sot në homazhe, shprehu besimin e palëkundur për drejtësinë e munguar për 21 janarin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka theksuar vendosmërinë për të kërkuar drejtësi, duke theksuar se gjatë këtyre viteve nuk kanë ndenjur të heshtur e as indiferentë. Balla ka përsëritur sërish besimin në institucione për të vendosur drejtësi.
Postimi i plotë:
DREJTËSI PËR 21 JANARIN
Nuk kemi ndenjur të heshtur e as indiferentë.
Ne kemi qenë dhe jemi qartesisht ne anën e drejtësisë me besimin e palëkundur se i takon vetëm të drejtësisë se re të bëjë drejtësinë e munguar për 21 Janarin, në dritën e vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe me besimin tek Prokuroria e Posaçme.
Ne jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtesi!
Ceremonia e heshtur zhvillohet çdo vit, ndërsa familjet, bashkë me dhimbjen që nuk shuhet ende, vazhdojnë të presin drejtësi. Familjarët, qytetarët shoqëruar dhe nga politikanët kanë bërë homazhe në bulevard, ku ndërruan jetën 4 protestuesit e pafajshëm, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Në ceremoni nuk kishte fjalime, por ishte projektuar në formë homazhi me heshtje dhe marshim.