Hapësire reklamuese

Politikë

14 vite nga "21 Janari", Rama: Kemi bërë një betejë historike epokale për drejtësinë, për të cilën nuk kemi ndenjur duarkryq

Shkruar nga Newsbomb
14 vite nga "21 Janari", Rama: Kemi bërë një
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim në lidhje me pyetjet dhe komentet në platformat sociale për ngjarjen e 21 janarit. Në rubrikën "Sy më Sy", duke shmangur polemikat me komentuesit, është shprehur se duhet të fokusohemi te thelbi, se drejtësinë nuk e bën as kryeminstri, as qeveria, as partia në pushtet. 

Ndër të tjera, Rama tha gjatë këtyre viteve është bërë një betejë historike epokale për drejtësinë, duke theksuar se askush nuk ka qënduar duarkryq. Kryeministri shtoi se pa Partinë Socialiste nuk do të kishte as Reformë në Drejtësi, as SPAK e as ndryshim të dukshëm tanimë të rrugës së drejtësisë. 

Më tej, Rama tha se do t'i qëndrojë besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besojë se SPAK-u nuk do ta vonojë edhe më shumë drejtësinë për 21 janarit.

Mesazh i Kryeministrit Edi Rama:

-Kemi bërë një betejë historike epokale për drejtësinë, për pavarësimin e saj nga pushteti politik për krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejtësi për të gjithë e për të gjitha.

Tani të të akuzojë lidhur me drejtësinë për 21 janarin, dikush që emrin në profilin e tij e ka “primare në pd”, kjo është për të qarë e për të qeshur.

Por nuk është qëllimi im të bëj kurrëfarë polemike me askënd që komenton këtu. Kështu që le të fokusohemi tek thelbi, sepse edhe një sërë komentuesish të tjerë, nga dëshira për drejtësi, harrojnë se jetojmë në një sistem, ku drejtësinë, largqoftë, nuk e bën as kryeministri, as qeveria, as partia në pushtet. 

Prandaj besoj, duhet të jetë shumë e qartë që të gjitha pretendimet, kritikat apo akuzat drejtuar meje apo nesh, për mosdhënien ende të drejtësisë për 21 janarin, janë thjeshtë në adresë të gabuar. 

Nga ana tjetër, unë dhe ne, nuk kemi qëndruar duarkryq po kemi bërë një betejë historike epokale për drejtësinë, për pavarësimin e saj nga pushteti politik për krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejtësi për të gjithë e për të gjitha. 

Pa Partinë Socialiste dhe mua në krye të saj, nuk do të kishte as Reformë në Drejtësi, as SPAK e as ndryshim të dukshëm tanimë të rrugës së drejtësisë, si ky që e shohin të gjithë ata që duan ta shohin, paçka se në rrugën e re të drejtësisë mund të ketë plot gjëra të kritikueshme, madje nganjëherë edhe të papranueshme. Por kjo është një rrugë e re, ku institucionet e reja kanë të gjithë mbështetjen tonë dhe pjesë e kësaj mbështetjeje të pakrahasueshme me asgjë, as më parë, as përreth në rajonin tonë, është patjetër edhe qëndrimi për të mos bërë komente për raste konkrete edhe kur mund të mos jemi dakord fare me trajtimin e tyre. 

Çfarë mund të them për drejtësinë për 21 janarin? A kam gjëra për të thënë. Kam aq shumë sa nuk mund tua tregoj dot, por edhe sot do t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj se SPAK-u nuk do të jetë edhe për shumë kohë i zënë me gjithçka tjetër, përveçse me 21 janarin, i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit dhe prandaj çdo vit që kalon, jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar, po njollos edhe vetë Reformën në Drejtësi, duke poshtëruar, jo vetëm familjet e dëshmorëve të 21 janarit, po një popull të tërë që do drejtësi për 21 janarin dhe meriton drejtësi për 21 janarin sepse drejtësia për 21 janarin është një drejtësi, jo thjesht për një ngjarje të djeshme, por për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese