Presidenti Bajram Begaj ka njoftuar këtë të enjte datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat sipas Dekretit zyrtar do të mbahen më 11 Maj 2025. Nga katër ditë të diela që kishte në dispozicion, midis datave 15 prill dhe 15 maj, Presidenti Begaj ka vendosur të dekretojë 11 Majin.
Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, edhe për shqiptarët jashtë vendit, thotë Presidenca.
Për herë të parë në këto zgjedhje do të votojë dhe diaspora, një sfidë madhore për të cilën Bajram Begaj shprehet se të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar.
Mirëpo, nga deklarata zyrtare e Presidencës që shoqëron Dekretin, vihet re se Partia Demokratike është "ankuar" te Bajram Begaj për mundësinë e mbajtjes së samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) në datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve.
Sipas partisë më të madhe opozitare, ky event formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cënon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore, ndaj zgjedhjet nuk mund të caktoheshin në datë 11 Maj.
Presidenti i Republikës është vënë menjëherë në lëvizje, duke u bashkuar me qëndrimin e Partisë Demokratike, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve.
Për këtë arsye, Bajram Begaj ka bërë të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, ka marrë zyrtarisht siguri, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.
Konfirmimi zyrtar si më sipër, ka hequr rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 Maj 2025 dhe e ka bërë automatikisht këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik.
Për këto arsye, Bajram Begaj si Presidenti i Republikës ka vendosur që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 Maj 2025, si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.