
Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, Presidenca ka hapur dyert për të vegjëlit nga të gjitha vendet e Shqipërisë, për të festuar jetën, ardhmërinë dhe ëndrrat e pastërta fëmijërore.
Në njoftimin e Presidencës, thuhet se fëmijët janë pritur nga presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda në një ambjent festiv të organizuar posaçërisht për ta.
Festa bëri bashkë fëmijët e Bashkisë Vau i Dejës, artistët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Durrësit, fëmijët e shtëpisë së foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë, fëmijë nga Shkolla “Ramazan Kabashi” po në Tiranë, si dhe fëmijët të stafit të Ambasadës Amerikane dhe të Institucionit të Presidentit.
Përgjatë kësaj feste, fëmijët u argëtuan me muzikë, kërcime, këngë dhe lojra, por ndanë dhe eksperiencat e tyre te veçanta duke përcjellë mesazhin e përkrahjes së njeri-tjetrit, për kapërcimin e pamundësive.
Gjithashtu, nën tingujt e gëzueshëm të festës, qindra tullumbace u lëshuan në qiell nga të vegjlit si shenjë e ngritjes lart të ëndërrave fëmijërore.