Turqia është tronditur në orët e para të mëngjesit të këtij 6 shkurti, nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 i shkallës Rihter. Raportohet për të paktën 500 të vdekur dhe mbi 2,000 qytetarë të plagosur. Politika shqiptare solidarizohet me popullin turk, në këto momente të vështira.
Bajram Begaj
Thellësisht i pikëlluar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta.
Niko Peleshi
Tronditje dhe trishtim për qindra viktima dhe mijëra të plagosur që shkaktoi tërmeti shkatërrimtar i këtij mëngjesi, në Turqi dhe Siri. Jemi me zemër dhe mendje pranë familjeve të viktimave, shërim të shpejtë të lënduarve. Të gatshëm të ndihmojmë me kapacitetet tona, për rikuperimin sa më shpejt të pasojave.
Lindita Nikolla
Të pikëlluar nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqinë Juglindore. Në emër të Kuvendit i shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare Mustafa Sentop! Lutemi për mbi 500 viktima, të plagosur, familje dhe njerëz të Turqisë. Zoti ju dhashtë forcë.
Ilir Meta
Në këto momente shumë të vështira të përballjes me tërmetin shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë natën e mbrëmshme, lutjet tona shkojnë për viktimat e shumtë që humbën jetën tragjikisht, duke shpresuar për sa më pak viktima të tjera në njerëz dhe një shërim të shpejtë të të plagosurve.
Erion Veliaj
Sot Tirana u zgjua me lajmin e tërmetit shkatërrues në Turqi! Zemrat dhe mendjet tona shkojnë për të gjithë të prekurit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre! Jemi me ju, me kujtimet ende të freskëta nga tragjedia jonë e #26nëntorit, por edhe me ngrohtësinë e solidaritetit mes dy kombeve tona.
Taulant Balla
Shumë e trishtueshme dhe mjaft e rëndë fatkeqësia që goditi vendin mik Turqinë këtë mëngjes, ku një tërmet me magnitudë 7.4 ballë i shkallës rihter, ka shënuar shumë jetë të humbura. Si gjithmonë populli shqiptar është pranë popullit turk, lutemi për viktimat e familjet dhe i shprehim solidaritetin autoriteteve turke në përballimin e kësaj tragjedie të rëndë.
Edi Rama
Thellësisht i pikëlluar për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi.