Hapësire reklamuese

OpEd

Politika që “vrau” nxënësit

Shkruar nga Newsbomb
Politika që “vrau” nxënësit

Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al

Në pesë vitet e fundit, është ulur me 58.128 numri i nxënësve të regjistruar në arsimin parauniversitar, sipas INSTAT, pra praktikisht edhe më tepër se kaq!

Ku janë? Ku kanë shkuar?

Janë pyetje retorike këto, sepse përgjigjen e dimë të gjithë; janë larguar nga ky vend së bashku me familjarët në kërkim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e tyre, përfundimisht!

Që kjo është dramë, e kuptojmë të gjithë. Madhësinë e kësaj drame, e kuptojnë shumë pak. Për ta thjeshtuar shpjegimin, kaq janë të gjithë banorët e qytetit të Gjirokastrës! Po të shtojmë edhe vëllezërit dhe motrat e tyre më të vegjël apo të mëdhenj që kanë ikur me ta, do të mbushej qyteti i Beratit. Numri i përindërve të këtyre fëmijëve do të ishte sa banorët e qytetit të Elbasanit. Gjyshërit dhe gjyshet e larguar me fëmijët e tyre do të mbushnin një qytet të vogël sa Mamurrasi.

Pra, në pesë vite, nga Shqipëria janë larguar aq banorë sa jetojnë në Gjirokastër, Berat, Elbasan dhe Mamurras të marrë së bashku! Plus-minus 5.000 persona, por edhe ata me siguri janë duke ikur këto ditë!

Shqiptarët po ikin dhe Shqipëria po zbrazet!

A do të ndalet ndonjëherë kjo hemorragji apo do ta thajmë “mëmëdheun” nga gjaku dhe nga limfa dhe do ta shohim nga larg teksa jep shpirt? Apo do të shpresojmë në “transfuzionin” me gjak aziatik sa për ta shpëtuar nga vdekja? Më mirë “gjakprishur” sesa e vdekur?!

Për hir të së vërtetës, “gjakprishurit” janë ata që e shkaktuan këtë hemorragji dhe nuk përpiqen asfare ta ndalojnë. Janë politikanët dhe pushtetarët që dikur ne i zgjidhnim dhe i votonim. Them dikur, sepse tani ne as nuk i zgjedhim dot më. Ata tashmë zgjedhin njëri-tjetrin dhe këmbejnë vendet me anë të shfaqeve të shpifura teatrale që i quajnë “luftë poltike”!

Pyetja më e ethshme e shqiptarëve, ajo që kanë vite që ia bëjnë njëri-tjetrit dhe Universit, më në fund e ka një përgjigje! Pyetja stërmunduese “A do të dalë ndonjë njeri apo forcë politike që ta bëjë këtë vend?”, sipas meje ka një përgjigje përfundimtare. Jo. Është e pamundur, jo teorikisht sesa praktikisht. Arsyetimi është i gjatë dhe do ta flasim një herë tjetër. Sot le ta marrim të mirëqenë dhe të mundohemi të bëjmë më të mirën në këtë situatë pesimiste!

Verdikti politik i kohës është ky:

Këtë vend do ta bëjnë ose do ta shkatërrojnë politikanët dhe partitë që kemi sot, që patëm dje dhe që do të kemi edhe nesër!

Prognoza është e keqe, por të vërtetat duhen thënë.

Të gjithëve na dhimbset ky vend, por këta na kanë shtrënguar të bëjmë zgjedhje të forta: të durojmë këta, ose të ikim edhe ne. Po sikur të ngrihemi? Të ngrihemi secili për veten e tij. Mos prit që unë të ngrihem për ty, sepse nëse unë nuk të shoh ty që del për veten tënde, nuk lëviz fare nga tastjera e kompiuterit!

Sidoqoftë! Nxënësit që mungojnë në apelet e shkollave tona, diku janë ulur dhe kanë filluar shkollën! U uroj shumë suksese, kudo që ndodhen!

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese