
Forca të shumta policie kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në Krujë, në shtëpinë e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja. Mësohet se qëllimi ka qenë prangosja e disa prej anëtarëve të fisit të tij, të shpallur në kërkim për dhunën barbare në Fushë Krujë.
Ditë më parë, vëllezërit, djali dhe familjarët e tjerë të ish-deputetit dhunuar barbarisht dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, vetëm se këta të fundit ishin ankuar në polici për shpërthimet e fuqishme në guroren e familjes Rraja.
Kjo ngjarje i kushtoi mandatin deputetit Rrahman Rraja dhe shkarkimin nga detyra ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Menjëherë pas përfundimit të procedurave të lënies së mandatit nga Rrahman Rraja, tashmë një qytetar i thjeshtë, Policia e Shtetit ka zbarkuar në Krujë dhe ka bastisur shtëpinë e tij. Nga kërkimi nuk janë gjetur personat e shpallur në kërkim, mes tyre vëllai dhe djali i ish-deputetit.
Në kërkim janë djali Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta.
Ministri Taulant Balla është shprehur dy ditë më parë se kërkesa e tij e parë për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, menjëherë pas marrjes së detyrës ka qenë zbulimi dhe arrestimi i vëllait dhe djalit të ish-deputetit.
“Kërkesa ime e parë ishte arrestimi i vëllait dhe djalit të ish deputetit Rrahman Rraja. Ai është miku im, por dy individët e lartpërmendur e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë. Ajo skenë e turpshme flet për një situatë të majisur më parë nga toleranca e policisë së asaj zonës. Nuk i dëgjoi ankesat dhe u bë palë me paligjshmërinë.
Në territorin e kësaj Republike nuk mund të ketë me feude dhe bajraqe. Në çdo komunitet do ketë rend dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe garancinë e Policisë së Shtetit”, u shpreh Taulant Balla.