Pesë shtetas janë shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Hot i Ri. Për shkak të një konflikti të çastit, mbeti i vdekur 33 vjeçari Valter Fierza.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit Klodian Mhilli, 24 vjeç, Aleksandër Mhilli, 23 vjeç, Paulo Mhilli, 22 vjeç dhe Luçiano Mhilli, 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi Enton Dushaj, 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”.
Referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, dyshohet se këta 5 shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e Valter Fierzës, shtetasin K. Fierza, 35 vjeç.
Menjëherë pas konfliktit drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet shtetasi Valter Fierza. Sapo ka parë automjetin, shtetasi Klodian Mhilli dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri kallashnikov në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë mbeti i vrarë.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit Klodian Mhilli) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shkodrës:
Si rezultat i punës intensive hetimore, të kryer nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:48, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, u vra me armë zjarri kallashnikov, shtetasi V. F., është bërë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimi i shtetasve të përfshirë në të.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. M., 24 vjeç, A. M., 23 vjeç, P. M., 22 vjeç dhe L. M., 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi E. D., 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta 5 shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e 33-vjeçarit, shtetasin K. F., 35 vjeç. Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, shtetasi V. F. Sapo ka parë automjetin, shtetasi K. M. dyshohet se ka qëlluar disa herë, me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë, mbeti i vrarë.
Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit K. M.) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.