Policia e Shtetit ka njoftuar sot masat që do të merren për mbarëvajtjen e samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, në datën 6 dhjetor në Tiranë.
Kufizimet në disa akse rrugore do të nisin gati një ditë më parë, ku do të bllokohet edhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
I pyetur për organizimin e protestës së Partisë Demokratike, që është planifikuar të mbahet para Kryeministrisë, drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi tha se ky subjekt politik është njoftuar edhe më herët për moslejimin e protestës.
“Pjesa tjetër, apo çdo ambient tjetër që ata mendojnë, është në të drejtën e tyre”, u shpreh Jaupi gjatë një deklarate për media.
“Perimetri do të fillojë aktivizimin nga ora 14:00 e datës pesë, ky perimetër do të mbahet deri në përfundimin e Samitit dhe largimin e krerëve të shteteve nga vendi ynë. Ne po përqëndrohemi për t’i bërë me dije të gjithë qytetarëve për bllokimin e rrugëve, si dhe për eleminimin e lëvizjeve jo të domosdoshme të qytetarëve, por edhe të orientojmë qytetarët për lëvizje në drejtime të tjera. Policia e Shtetit ka kthyer një përgjigje, dhe është bërë tashmë publike. I kemi adresuar të gjitha kufizimet që Policia e Shtetit ka pranë këtij samiti. Pjesa tjetër, apo dhe çdo ambient tjetër që ata mendojnë, është në të drejtën e tyre. Ne do të marrim masa për mbarëvatjten e atij kufiri”, deklaroi ai.