Hapësire reklamuese

Aktualitet

Policia hap aplikimet për policim vullnetar, ja kuotat dhe kriteret që duhet të plotësojnë të interesuarit

Shkruar nga Newsbomb
Ilustruese

Policia e Shtetit hap aplikimet per të gjithë ata që janë të interesuar të bëhen pjesë e projektit pilot të shërbimit të policimit vullnetar.

Ky projekt për vitin 2020 do të implementohet në disa struktura të Policisë së Shtetit, konkretisht: Në DVP Tiranë 77 kuota; Në DVP Elbasan 15 kuota, për Komisariatin e Policisë Elbasan; Në DVP Kukës 5 kuota, për Komisariatin e Policisë Tropojë.

Informacion nga policia: Policia e Shtetit, në zbatim të prioriteteve të saj dhe me qëllim thellimin e gjetjen e formave të reja për Policimin në Komunitet, si dhe për ndërtimin e një ure më të fortë mirëkuptimi dhe komunikimi mes Policisë dhe Komunitetit, nëpërmjet përfshirjes së komunitetit në realizimin e përgjegjësive dhe detyrave në fushën e sigurisë publike, në zbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe atyre administrative, ka hapur procesin e aplikimeve për zbatimin e projektit pilot të shërbimit të Policimit Vullnetar për vitin 2020.

Policia e Shtetit synon që nëpërmjet këtij procesi të përfshijë sa më shumë shtetas në kryerjen e detyrave si policë vullnetar, të rrisë angazhimin qytetar dhe pjesëmarrjen e individëve për të kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë, duke bashkëpunuar me shërbimet e Policisë së Shtetit.

Ky projekt për vitin 2020 do të implementohet në disa struktura të Policisë së Shtetit, konkretisht:

– Në DVP Tiranë 77 kuota;

– Në DVP Elbasan 15 kuota, për Komisariatin e Policisë Elbasan;

– Në DVP Kukës 5 kuota, për Komisariatin e Policisë Tropojë.

Procesi i aplikimit për shërbimin e policimit vullnetar do të jetë i hapur deri në datën 20 gusht 2020, periudhë në të cilën shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij shërbimi, duhet të paraqesin dokumentet pranë DVP Tiranë, DVP Elbasan dhe DVP Kukës.

Kriteret e pranimit në shërbimin e Policimit Vullnetar:

  • të jetë shtetas shqiptar;
    • të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
    • të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
    • të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
    • të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
    • të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

Aplikantët për shërbimin e Policimit Vullnetar duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku kanë vendbanimin, dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Formularin e aplikimit;
    • Fotokopje të kartës së identitetit;
    • Dokument që vërteton përfundimin e arsimit të kryer;
    • Vërtetim nga Gjykata dhe Prokuroria;
    • Raport mjeko–ligjor.

Pas përfundimit të afatit të aplikimit dhe dorëzimit të dokumenteve në DVP, ka në dispozicion një afat 10 ditor për të verifikuar aplikimet dhe t’u kthyer përgjigje aplikantëve.

Ankesat mund të depozitohen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan ose Kukës për shqyrtim.

Më pas aplikantët i nënshtrohen një procesi testimi, trajnimi dhe certifikimi në Akademinë e Sigurisë.

Pas përzgjedhjes, kandidati duhet të përfundojë trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë dhe të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

Aplikantët që marrin vlerësim pozitiv në Akademinë e Sigurisë, vihen në dispozicion të Drejtorisë Vendore të Policisë ku kanë aplikuar dhe nënshkruajnë kontratën individuale.

Shërbimi i Policimit Vullnetar nuk është praktikë e panjohur në Policitë homologe të Europës apo atyre të rajonit.

Shumë nga këto organizata policore kanë aktivizuar programe të vullnetarëve në shërbimin policor, të cilat janë zhvilluar si një rezultat logjik i trendit në rritje të nismave të policimit në komunitet në këto vende.

Programet e policimit të orientuara nga komuniteti ose nga zgjidhja e problemeve të tyre kanë krijuar ura të forta midis agjencive ligjzbatuese dhe qytetarëve që u shërbejnë.

Një zgjerim logjik i këtij bashkëpunimi është dhe lejimi i qytetarëve që të angazhohen në policimin vullnetar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë vendore, për të përmirësuar shërbimet e Policisë ndaj komunitetit.

Policimi vullnetar kërkon kontributin e qytetarëve të përgjegjshëm dhe të devotshëm që janë gati të japin kohën e tyre për të kryer një sërë detyrash në fushën e parandalimit, këshillimit dhe të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.

Policët vullnetarë janë individë, të cilët kanë dhe zërin e tyre personal dhe qytetar për t’u angazhuar në këto çështje të komunitetit, si ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, emergjencat civile, fatkeqësitë natyrore etj.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu