Forcat operacionale të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar një aksion "blic" mbrëmjen e kësaj të premteje në Tiranë, në zonën e Saukut, me shpresën se do të gjenin të shumëkërkuarin Eljon Hato.
Operacioni ka vazhduar për disa orë me kontrolle me qen dhe shumë efektivë në terren, por e vetmja gjurmë nga Eljonn Hato ka qenë makina e tij. I riu nga Shkodra është shpallur në kërkim për disa ngjarje kriminale, por deri tani i ka shpëtuar uniformave blu.
Nga Policia e Shtetit nuk ka një njoftim zyrtar, por nga raporte të ndryshme është mësuar se efektivët janë vënë në lëvizje sapo kanë marrë njoftim se në zonën e Saukut ishte parë makina e Eljon Hatos. Gjatë ndjekjes, ai dyshohet se ka braktisur makinën dhe është larguar me vrap.
Uniformat blu kanë mundur të bllokojnë makinën e tij dhe kanë shtrirë kontrollet në zonë për të lokalizuar dhe kapur të shumëkërkuarin nga Shkodra, por pa rezultat. 34 vjeçari konsiderohet si mik i ngushtë i biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, i cili prej më shumë se një viti është zhdukur pa gjurmë.
Eljon Hato është shpallur në kërkim ndërkombëtar verën e vitit 2023, pasi Prokuroria e Posaçme kreu një sërë arrestimesh në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ku biznesmenë, drejtues policie dhe anëtarë të grupeve kriminale bashkëpunonin me njëri-tjetrin për ngjarje kriminale.
Kush është Eljon Hato, miku i Ervis Martinaj
34 vjeçari është përfshirë në skedarët e Policisë së Shtetit për herë të parë në vitin 2014, kur pas një konflikti për motive banale në një lokal në Shkodër, ka vrarë me armë zjarri një bashkëmoshatar dhe ka plagosur një tjetër.
I njohur dhe me emrin Esmeraldo, në atë kohë 24 vjeç, në orët e para të mëngjesit të datës 12 Maj 2014, ai ka qenë në një lokal në fshatin Zus bashkë me persona të tjerë. Në të njëjtën tavolinë me të në lokal ndodheshin shtetasit Indrit Hylli dhe Jetmir Molla.
Nën efektin e alkoolit, kur ora shënonte 03:00 e mëngjesit, mes të rinjve që qëndronin në lokal ka filluar një debat i cili ka nisur me shkëmbime fyerjesh banale dhe më pas ka degarduar deri në përdorimin e armës. Eljon Hato ka shtënë me pistoletë në drejtim të Indrit Hyllit dhe më pas drejt shokut tjetër Jetmir Molla.
Dy të rinjtë u dërguan me urgjencë në Spitalin e Shkodrës nga punonjësit e lokalit, por fatkeqësisht 22 vjeçari Indrit Hylli ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, kurse Jetmir Molla kishte plagë vetëm në këmbë dhe arriti të shpëtonte.
Eljon Hato mundi të arratisej dhe u arrestua nga Forcat Operacionale në qytetin e Laçit vetëm një vit më pas, në 3 Maj 2015, teksa ndodhej nën shoqërinë e të vëllait. Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj këtyre dy shtetasve masat e sigurisë “Arrest me burg”.
I riu nga Shkodra u dërgua në Burgun e Shënkollit ku dyshohet se porositi dhe një vrasje nga brenda qelisë.
Ai është akuzuar zyrtarisht se kishte porositur vrasjen e mjekut radiolog të Spitalit të Shkodrës, Agron Terolli. Eljon Hato kishte paguar një 21 vjeçar i cili do të kryente vrasjen, por fatmirësisht falë të dhënave në rrugë operative Policia e Shkodrës arriti ta parandalonte ngjarjen e rëndë.
Në 2015-ën, djali i mjekut Agron Terolli kishte plagosur me armë zjarri një person dhe e kishte lënë të paaftë fizikisht. Dënimin për këtë vepër penale djali i mjekut po e kryente në Burgun e Shën Kollit, ku sapo kishte shkuar dhe i riu Eljon Hato. Pista kryesore u dyshua hakmarrja, por ngjarja “u harrua” për shkak se personi që do të kryente vrasjen, 21 vjeçari Osman Mulja u arrestua teksa bëhej gati të ekzekutonte me kallashnikov në mes të Shkodrës mjekun Agron Terolli.
Është e paqartë sesi doli nga qelia Eljon Hato, pas tre vitesh, pasi në vjeshtën e vitit 2018 ai u përfshi në një konflikt me armë që ndodhi në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Shkak u bë një konflikt për këngëtaren Elvana Gjata, e cila atëkohë ishte e dashura e biznesmenit po në kërkim ndërkombëtar Ervin Mata. Ajo është ngacmuar nga shtetasi Fabiol Gaxha dhe më pas aty ka nisur një konflikt mes dy grupeve që përfundoi me plumba.
Komando Merviol Bilo, kushëri i këngëtares dhe njëherësh truprojë e Ervin Matës, i është përgjigjur të shtënave me armë zjarri nga grupi i Ervis Martinaj duke lënë të plagosur këtë të fundit dhe Eljon Haton, ndërsa viktimë mbeti truproja Fabiol Gaxha.
Këtij të fundit ju gjetën në xhepin e xhupit disa ilaçe qetësuese, pasi ai vuante nga një tumor në kokë dhe mjekët i kishin dhënë dhe pak muaj jetë. Fatkeqësisht, Fabiol Gaxha humbi jetën nga plumbat në moshën 28 vjeçare.
Viktima ishte shpallur në kërkim dy muaj para se të ndërronte jetë nga Policia e Tiranës, për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë që prej datës 27 gusht të vitit 2018. Policia njoftoi zyrtarisht se 28 vjeçari ishte i dyshuar për plagosjen e shtetasit Andi Spahiu.