Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët përdorin një pajisje smart “Apple” që të ketë kujdes kur u vjen një mesazh në emër të Postës Shqiptare.
Përmes një njoftimi zyrtar efektivët kanë bërë me dije se një adresë jo reale është hapur në emër të Postër Shqiptare. Ajo po përdoret nga autorët për të fituar besueshmërinë e qytetarëve, prandaj u bëhet apel qytetarëve që në asnjë rast të mos klikojnë dhe mos plotësojnë formularin, pa u siguruar që faqja nga e cila jeni kontaktuar është faqja zyrtare e institucionit.
Gjithashtu në njoftim theksohet se të gjithë ata qytetarë të cilëve u ka ardhur një mesazh i tillë dhe kanë shpërndarë të dhënat e tyre personale të paraqiten pranë Komisariateve.
Policia e Shtetit:
Në vijim të njoftimit të ditës së djeshme, të strukturave të Hetimit të Krimeve Kibernerike, i cili bënte fjalë për mesazhe (iMessage), që iu dërgohen nga adresa të ndryshme iCloud, përdoruesve të Apple, ju informojmë se:
Autorët që dërgojnë këto mesazhe, për të fituar besueshmëri, përdorin emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare, siç është rasti i fundit i konstatuar, nga një adresë joreale e Postës Shqiptare.
Në asnjë rast mos klikoni dhe mos plotësoni formularë, pa u siguruar që faqja nga e cila jeni kontaktuar, është faqja zyrtare e institucionit.
Nëse ju ka ardhur një mesazh i tillë dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale apo nëse jeni mashtruar nga një aktivitet i tillë, ju ftojmë të paraqiteni pranë zyrave tona.