Policia pranon se, në vend është trafikuar një farë e re kanabisi, me cikël biologjik 45-ditor.
“Kemi informacion për një bimë narkotike me cikël më të shkurtër, për të cilin ne kemi filluar edhe më shpejt kontrollin e territorit. Edhe monitorimi do të fillojë më shpejt, për të mos lënë hapësira boshe në kohë. Ne e kemi vazhdimisht nën kontroll territorin, duke e copëzuar me përgjegjës përkatës në këto zona, të cilët kanë detyrim që në mënyrë të vazhdueshme ta kontrollojë atë. Kjo sepse, nëse ne kemi asgjësuar njëherë bimë narkotike, nuk do të thotë që të mos e kontrollojmë më atë territor”, tha Altin Qato, zv.drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë.
Një ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka deklaroi se, përmes një letre i kishte kërkuar kryeministrit Rama që, për këtë arsye, monitorimi nga ajri i territorit të vendit duhet të nisë që tani.
Qato tha për Top Channel se, kontrolli për identifikimin e parcelave në zonat e riskut, në bashkëpunim me Interforcën italiane, do të fillojnë pas pak ditësh.