
Një ambient me katër dhoma të përshtatura për kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike, është zbuluar nga Policia e Durrësit. Në pranga ka rënë personi që i kishte në ruajtje këto ambiente.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, bazuar dhe në inteligjencën operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Vijimi”, në kuadër të të cilit u zbuluan 4 ambiente të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi H. H. (vëllai i pronarit të këtyre ambienteve), pasi kishte në ruajtje ambientet ku kultivoheshin bimë narkotike.
Nga hetimet, rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, autorë të dyshuar të kultivmit të bimëve narkotike me anë të llambave, në 2 ambientet e zbuluara si rezultat i operacionit “Derveni”, të zhvilluar 2 ditë më parë, kanë përshtatur edhe këto 4 ambiente, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Vijon puna intensive për kapjen e 3 personave të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Policia.