Nga Anila Hoxha
Nuk kishte nisur ende zbatimi i reformës në drejtësi, kur Artan Didi drejtori i përgjithshëm i policisë në atë kohë, në një nga tryezat me ndërkombëtarët akuzoi jo vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe policinë.
“Nuk ka asnjë prokuror e gjyqtar që të jetë aq trim sa të japë pafajësi kur provat janë të kopsitura” mësohet të ketë thënë ish-kreu i policisë së shtetit në një takim me ndërkombëtarët në mes të bllokut në Tiranë. E kishte të qartë Artan Didi. Nëse policia e bënte punën siç duhej me provat dhe vendet e ngjarjeve, prokurorët dhe gjyqtarët e kishin të pamundur të lëviznin e të bënin ndryshe.
Kryepolici, e kishte me të vetët, që duhet të bënin maksimumin për të mos u korruptuar që në gjenezë.
Artan Didi është një oficer i njohur në radhët e policisë. E mori detyrën në fundin e vitit 2013, dhe e la atë detyrë me dorëheqje në mars të 2015. Ka qenë i famshëm në kohën kur drejtonte policinë e shtetit edhe sepse kishte marrë pjesë në operacione ndërkombëtare, madje, në njërin prej tyre, atë të kapjes së arabo-egjiptianit Muhamed Omar Al- Said, mbeti i plagosur. Pas këtij episodi, karriera e tij mori vetëm të përpjetën.
Kur erdhi në krye të policisë së shtetit, njihte çdo procedurë. Eksperienca e kishte mësuar me të gjitha, nga marrja e provave dhe administrimi i tyre, e deri tek mënyra sesi duhet të paraqiteshin para drejtësisë. Por është tjetër gjë të flasësh me fjalë e parime, dhe tjetër gjë, të zbatosh leksionet në realitet.
Ndaj pikëpyetjet e kryepolicit të asaj kohe hidheshin drejtpërdrejt mbi sjelljen që policia kishte në vendngjarje dhe me provat që duhet të administronte e mënyrën sesi duhet t’i administronte. Dhe ai kishte të drejtë. Rast pas rasti, duke nisur dhe në kohën e Didit kur shpërtheu skandali i Interpol Tiranës që nuk kishte njoftuar në kohë drejtësinë për shpalljen në kërkim të Mark Frrokut, veprimet e policisë në skenën e krimit, treguan se nuk bëhej fjalë vetëm për paaftësi, por dyshimet shkonin deri për procedura korruptive.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Prill dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…