Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

“Po lidhja thasët me barut”, ish-punonjësi tregon për ditën e shpërthimit në Gërdec

Shkruar nga Newsbomb
“Po lidhja thasët me barut”, ish-punonjësi tregon për

Këtë të enjte është duke u zhvilluar seanca e radhës për tragjedinë e Gërdecit. Në gjykatë janë paraqitur disa dëshmitarë për tu pyetur, ku një prej tyre është edhe Qemal Mema, i punësuar asoj kohe në fabrikën e armëve.

Në dëshminë e tij Mema ka pohuar se ai nuk ishte trajnuar për çmontimin e fishekëve dhe personi që e punësoi ishte Dritan Minxolli.

Ai ka treguar se për disa kohë e kishte ndërprerë punën pasi ishte dëmtuar në këmbë, teksa shpjegoi se kur nisi punën merreshe me lidhjen e thasëve të barutit. Mema ka folur dhe për ditën ku ndodhi shpërthi në Gerdec, ku tha se u dëmtua në kokë dhe se qëndroi në spital për 10 ditë.

Më punësoi Dritan Minxolli. Çmontoja fishekët, kishte rrezikshmëri në demontim. Fishekët futeshin në makineri, ku ndahej baruti nga fishekët. E ndërpreva punën se u dëmtova të këmba. Kur rifillova punë, merresha me lidhjen e thasëve të barutit. Punonim me mjete primitive.

Ditën e shpërthimit, po merresha me lidhjen e thasëve të barutit. Kur mbrapa dëgjova një shpërthim. Jam dëmtuar në kokë, në dorë, u shtrova 10 ditë në Spitalin Ushtarak.

Isha 3 deri në 7 metra larg nga vatra e shpërthimit, në dysheme kishte shumë barut në formën e një rreth-rrotullimi. Nuk jam trajnuar dhe nuk kam patur rregullore. Nuk kam firmosur kontratë dhe më thane se jam i siguruar, por leket i mërrja ne dorë. Vangjeli merrej me ne. Ditën e ngjarjes na thanë që të mos leviznim për të ngrënë bukë, pa spostuar barutin nga toka”, tha punonjësi i fabrikës.

Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.

Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”

GJKKO më herët pranoi kërkesën e SPAK për të marrë në pyetje 71 dëshmitarë në gjyqin ndaj Fatmir Mediut, pavarësisht se mbrojtja e ish-ministrit kërkoi 90 dëshmitarë, ku përfshiheshin dhe personalitete të huaja. Më 18 shator të këtij viti dhanë dëshminë e tyre njëmbëdhjetë dëshmitarët e parë, të cilët treguan se si ishin punësuar dhe përshkruan ngjarjen tragjike.

Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim. Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese