Mbi 4 milionë persona kanë humbur jetën nga Covid-19, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndonëse shifra zyrtare besohet se është më e vogël sesa numri i viktimave nëpër botë.
Sips mediave të huaja numri i të vdekurve gjatë një viti e gjysmë, është afërsisht i barabartë me numrin e njerëzve të vrarë në betejë në të gjitha luftërat e botës që nga viti 1982.
Shumë shtete janë në gjendje alarmante për shkak të variantit “Delta” të koronavirusit, i cili po vazhdon të përhapet, duke shtyrë kështu disa vende në Azi që të rikthejnë përsëri masat kufizuese, ndërkohë që shumë shtete po hapen.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se bota është “në një pikë të rrezikshme të kësaj pandemie”.
Deri më tani në të gjithë botën janë regjistruar 185 milionë raste për shkak të koronavirusit. Vendi që raporton më shumë persona të infektuar është SHBA, ku deri më tani janë regjistruar 33.7 milionë raste.