Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite, rreth orës 16:35 në fshatin Grude e Re, në Shkodër. Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Gent Larushku, por ky i fundit ka shpëtuar pa u plagosur.
"Rreth orës 16:35, në fshatin Grude e Re, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të bagazhit të automjetit të shtetasit G. L., 35 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, Shkodër. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje," njoftoi policia.
Në dëshminë e tij, Gent Larushku tha se është qëlluar nga një person që po lëvizte me biçikletë afër banesës së tij, por mohon të ketë pasur konflikte me ndokënd.
“Isha në makinën time afër shtëpisë kur një person që nuk arrita ta njoh për shkak edhe të errësirës më qëlloi me pistoletë. Fatmirësisht arrita të shpëtoj. Ai u largua menjëherë dhe nuk arrita që ta njoh. Nuk e di arsyen e kësaj ngjarje sepse nuk kam konflikte me askend dhe nuk e di kush mund të jetë autori” deklaroi Larushku.
Sakaq, policia ka sekuestruar dy gëzhojat e plumbave të pistoletës në cilësinë e provës materiale dhe makinën e Gent Larushkut dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.