Ish-hetuesi special i Këshillit të Evropës, Dick Marty ka bërë akuza të rënda kundër Departamentit (ministrisë) Federal të Punëve të Jashtme dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër, në lidhje me kërcënimet e bëra ndaj tij.
Duke folur dje për “Daily Talk” në Radio SRF, Marty ka shprehur revoltën e tij ndaj institucioneve në fjalë për faktin se përse iu desh kaq shumë kohë që t’i ofronin mbrojtje dhe pse autoritetet nuk u vunë menjëherë në ndjekje të kriminelëve serbë.
“Çështja mund të ishte zgjidhur shpejt,” tha Marty. Sipas tij, qëllimi i kriminelëve ishte që për vrasjen e tij të fajësonin ish-presidentin kosovar Hashim Thaçi. Marty supozon se ata ishin njerëz me kontakte në shërbimet sekrete serbe, transmeton albinfo.ch, sepse Serbia kishte frikë se Thaçi nuk mund të sillej para drejtësisë.
“Nëse Zvicra zyrtare do të kishte ndërhyrë menjëherë te qeveria serbe dhe do t’u thoshte atyre se ata i dinin planet, plani kriminel do të kishte dështuar”, tha Marty për SRF. “Por me sa duket ata nuk donin të prishnin marrëdhëniet diplomatike. Nuk e di arsyen”.
Ai thotë se e di se shumë njerëz në Zvicrën zyrtare në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme (EDA) dhe në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm (BA) nuk po thonë të vërtetën.