Një plagosje me thikë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, dy të rinj janë konfliktuar me njëri-tjetrin, teksa njëri është qëlluar me thikë.
Mësohet se autori i ngjarjes është shtetasi Arli Beta, i cili ka qëlluar me thikë në shpinë 19-vjeçarin Erius Tuce.
Ky i fundit është transportuar me urgjencë në spital, ku po qëndron nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka arritur të arrestojë autorin e ngjarjes.
Informacion nga Policia e Tiranës:
Plagosi me thikë një 19-vjeçar, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, kapet dhe shoqërohet në komisariat autori i dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 pas informacioneve të marra për një konflikt me mjete prerëse në Komunën e Parisit, gjatë të cilit shtetasi A. B., kishte goditur me mjet prerës shtetasin E. T., 19 vjeç, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi i autorit të dyshuar shtetasit A. B., 20 vjeç, banues në Tiranë, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin E. T.
Si pasojë e konfliktit, shtetasi E. T., është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.