Një ngjarje e rëndë, por fatmirësisht pa viktima ka ndodhur sot në mbrëmje në zonën e Fushë-Krujës.
Pronari i një fasonerie, i identifikuar si Arben Dedja 61 vjeç, është plagosur me plumb në këmbë. Ai është vetëparaqitur në qendrën shëndetësore për të marrë ndihmë mjekësore, dhe stafi i spitalit lajmëroi policinë.
Ende nuk dihet se në cilat rrethana është plagosur Dedja, por policia po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, pasi të marrë në pyetje edhe të plagosurin. Arben Dedja sipas burimeve mediatike nuk njihet në zonë si një person problematik apo me precedent të mëparshëm penal, por vetëm si biznesmen fasonerie.
Aktualisht Dedja ndodhet në spitalin e Traumës në kryeqytet, jashtë rezikut për jetën. Ngjarja mendohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit, teksa policia ka ngritur postblloqe dhe grupe kontrolli për kapjen e autorit. Deri tani janë shoqëruar disa persona që mund të kenë lidhje me ngjarjen.