Në Kryesinë e Kuvendit ditën e djeshme u zhvillua aktiviteti “Gjuha shqipe dhe identiteti i saj”. Në këtë aktivitet kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mbajti një fjalim të gjatë, ku tha se globalizmi paraqet sfida për popujt e vegjël dhe gjuhët e tyre duke sjellë shpesh deformime kulturore.
Po ajo që tërhoqi vëmendjen e që nuk mund të shpëtonte syve kritik, është një pjesë e fjalimit të Nikollës që si duket është plagjiaturë. Nikolla ka përdorur me pikë dhe prejse fjalët e akademikut Gjovalin Shkurtaj për mbrojtjen dhe vlerësimin e shqipes, por pa e cituar atë.
“Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.
Të flasësh e të shkruash në gjuhën amtare, në gjuhën e nënës apo sikundër thuhet zakonisht “në gjuhën e të parëve”, për shumicën e popujve të botës ka qenë një nga gjërat më të natyrshme dhe të patjetërsueshme.
Por, për fat të keq, shqiptarët, gjatë historisë janë ndeshur me mjaft rrethana të krijuara nga pushtuesit apo faktorë të tjerë, të cilët si një nga mjetet për të mbajtur të sunduar apo asimiluar shqiptarët, nuk i lejonin as të hapnin shkolla shqipe.
Prandaj, historikisht, përpjekjet dhe lufta e popullit tonë për çlirim kombëtar, kanë pasur si kërkesë të parë e themelore ruajtjen e gjuhës shqipe, të drejtën për të pasur shkolla në gjuhën amtare, të drejtën për t’iu lutur Zotit në gjuhën shqipe”, pjesa që Nikolla përmendi pa cituar autorin e vërtëtë të këtyre fjalëve.