Hapësire reklamuese

Aktualitet

Pjesëmarrës 27 vende anëtare të NATO-s dhe 1,000 trupa, Shqipëria refuzon stërvitjen e aleatëve në Maqedoninë e Veriut: Mister arsyet???

Shkruar nga Newsbomb

Nga Ilir Xhafaj

Maqedonia e Veriut ka mbajtur për disa ditë me radhë një nga stërvitjet më të rëndësishme dhe më të mëdha në historinë e saj, “North Macedonia 2021”. Nuk ishte një stërvitje ushtarake por për reagimin dhe lehtësimin e fatkeqësive. Nga rajoni merrnin pjesë disa shtete, anëtare dhe aleate të NATO-s.

Shqipëria mungonte. Po, një vend anëtar i NATO-s dhe pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk merrte pjesë.

Sipas programit të organizatorëve, Qendra Euro-Atlantike e Koordinimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive (EADRCC) dhe Qendra e Menaxhimit të Krizave (CMC), pjesëmarrës në këtë stërvitje ishin 27 vende anëtare dhe aleate të NATO-s, si dhe 1,000 trupa apo ekipe të emergjencave.

Çuditërisht, Shqipëria kishte injoruar ftesën zyrtare nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut. Më pas, kishte pranuar dhe kishte anuluar sërish. Edhe për organizatorët në Shkup dhe korrdinatorët e NATO-s kjo ishte e paqartë. Newsbomb.al kishte në këtë trajnim të dërguar gazetarin Ilir Xhafaj, me ftesë zyrtare të NATO-s. Edhe shtetet e tjera ballkanike kishin dërguar gazetarët e tyre, bashkë me ekipet e emergjencave.

Nga Ballkani morën pjesë, Task Forca Mjekësore Ballkanike (BMTF), Brigada e Forcave Shumëkombëshe të Paqes në Europën Juglindore (SEEBRIG) dhe Iniciativa për Gatishmërinë dhe Parandalimin e Fatkeqësive në Europën Juglindore (DPPI SEE).

Një mundësi e mirë për trupat e Emergjencave Civile nga Shqipëria që të jepnin kontributin e tyre në këtë stërvitje civile në raste të stimuluara të emergjencave, si përmbytje, tërmetet dhe incidentet biologjike; ose të trajnoheshin nga kolegët e tyre për një reagim sa më të shpejtë në raste fatkeqësish.

Ky trajnim do ishte edhe më efektiv nëse mendon se trupat shqiptare kanë eksperiencë në përmbytjet në veri dhe jug të vendit, po ashtu dhe në tërmetin e 26 nëntorit 2019, me dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur.

Gjatë ditëve të ushtrimit, ekipet e emergjencave zhvilluan disa operacione të stimuluara.

Gazetari ynë i ka ndjekur disa prej tyre nga afër dhe më poshtë janë pamjet. Qëllimi i këtij trajnimi të NATO-s ishte i qartë: Ushtrim civil për rritjen e gatishmërisë dhe reagimin civil kombëtar ndaj situatave emergjente të fatkeqësive natyrore.

Trajnimi në terren (20-23 shtator) përfshinte pjesëmarrjen e ekipeve nga Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Koracia, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia. Praktikisht të gjitha vendet e rajonit pa Kosovën dhe Shqipërinë. Arsyet pse kjo e fundit nuk dërgoi ekipet e saj nuk dihet. Në një kohë që Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç ndërmarrin nisma si “Ballkani i Hapur” për t’i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit (shteteve) në rast fatkeqësie, Shqipëria refuzon të jetë në Ohër dhe Strugë.

Skenari i parë fillonte më një tërmet 8.2 ballë, në Liqenin e Ohrit, i cili gjente të papërgatitur ekipet e emrgjencës në Maqedoninën e Veriut. Dëmet ishin të mëdha, dhe viktimat po ashtu. Në këto Kushte Maqedonia e Veriut kërkon ndihmë nga Qendra Euro-Atlantike e Koordinimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive (EADRCC). Më poshtë janë dhe disa pamje nga Qendra e Menaxhimit të Krizave në Maqedoninë e Veriut, ku është implementuar sistemi i ri i NATO-së, i quajtur NICS, për të cilin do t’ju njohim dhe në vazhdim.

- Drejtori i Ushtrimit në Maqedoninë e Veriut, Urim Vejseli iu shpjegon gazetarëve si aleatët koordinohen në NICS


Më herët, gjatë konferencës për mediat, Vejseli mes të tjerash është pyetur nga gazetari i Newsbomb.al Ilir Xhafaj, se përse Shqipëria nuk ishte pjesë e kësaj stërvitje. “Ne e ftuam Shqipërinë dhe ajo nuk pranoi”, u përgjigj ai. Madje, sipas tij, vendet mike u ftuan të parat.  “Vendet mike i ftuam të parat, si Serbia dhe Shqipëria. Por Shqipëria nuk pranoi”, tha ai ndër të tjera.

Sistemi NICS i implementuar nga NATO

Sistemi i Komandës i Incidenteve i Gjeneratës Tjetër (NICS) lejon reaguesit dhe komandantët e parë të kordinojnë përgjigjen e urgjencës në shkallë të gjerë dhe në kohë reale. Ai konsiston në një platformë web që mundëson shkëmbimin e informacionit, përfshirë vendosjen GPS dhe imazhet përmes pajisjeve mobile.

Aleatët e NATO-s dhe vendet partnere në Ballkanin Perëndimor (disa) e kanë implementuar këtë sistem.

Pra, një vend që ka implementuar NICS, ose jo, përballet me fatkeqësi të madha natyrore, mund të kërkojë menjëherë ndihmën e aleatëve. Ndihma ofrohet në kohë reale dhe përfshin mjete dhe koordinim direkt për mbledhjen e të dhënave, vendodhjen e trupave të emergjencave dhe situatën e shkaktuar nga një fatkeqësi natyrore e caktuar.

Për shembull, në vitin 2019 Bosnje-Hercegovina përjetoi reshje të mëdha shiu të cilat shkaktuan përmbytje dhe shumë rrugë u bllokuan. Autoritetet atje përpunuan me shpejtësi disa lloje të ndryshme informacioni në NICS për të siguruar pamje gjithpërfshirëse dhe në kohë reale të përmbytjeve.

U grumbulluan fotografi, imazhe satelitore dhe mesazhe nga reaguesit (grupet në terren).

Qendra e Menaxhimit të Krizave, drejtori Urim Vejseli shprjegon sistemin NICS

Në prill, Bosnje-Hercegovina kërkoi ndihmë ndërkombëtare nga Mali i Zi, për helikopterë për shurajen e zjarreve. Të gjitha operacionet u monitoruan duke përdorur Sistemin e Komandës për Incidentet të Gjeneratës Tjetër (NICS).

Pavarësisht se është përdorur në disa shtete anëtare të NATO-s, ky sistem i ri ju vjen në ndihmë dhe shteteve të tjera. Këtë e konfirmoi dhe Marc di Paolo, drejtori i Ushtrimit në Shtabin e NATO-s. I pyetur nga gazetari Ilir Xhafaj, ai u shpreh “NICS ju vjen në ndihmë të gjitha shteteve në nëvojë, nëse janë anëtare të NATO-s apo jo. Mjafton që ato të kërkojnë ndihmë zyrtarisht.”

Nuk dihet përse autoritetet në Shqipëri, Emergjencat Civile apo Ministria e Mbrojtjes, refuzoi të dërgonte trupat e veta në një trajnim të tillë për reagimin dhe menaxhimin e fatkeqësive. Trupat shqiptare mund të trajnoheshin nga ekipet e shteteve të tjera, me metodat më inovative, të gjeneratës tjetër.

Në pamjet më poshtë, është një bazë teknologjike e lëvizshme e ekipeve nga Rumania, në të cilin ekipet e emergjencave trajnohen virtualisht sesi të reagojnë në rastin e një fatkeqësie natyrore, si tërmeti. "Një realitet virtual por me përjetim si të jesh realisht në fushë, në mënyrë që trupat të reagojnë sa më shpejt", thotë trajnuesja rumune.


Dy operacione të simuluara, në Izgrev dhe Tashmarunishta, zona përreth Strugës

1- Ekipet e emergjencave nga Bullgaria zhvillojnë një operacion të stimuluar, një aksident me të plagosur dhe dëme materiale. Në ndihmë vijnë ekipet e mergjencave nga Serbia, për shkak se në vendngjarje ka rrezik për përhapje të elementëve kimikë.


2- Ekipet e emregjencave bëjnë një operacion të stimuluar për kërkimin dhe shpëtimin dy peshkatërëve buzë lumit Drini i Zi, në fshatin e Tashmarunishtas. Fillimisht, ekipet me dy gomone gjejnë dy peshkatarët dhe më pas u japin ndihmën e parë. Të dy largohen me gomone drejt brigjeve në anën tjetër ku presin ekipet e ndihmës së shpejtë.


Përvoja e fituar në stërvitjet e mëparshme të EADRCC ka ndihmuar aleatët dhe partnerët e NATO-s të shpëtojnë jetë në të gjithë botën, përfshirë gjatë uraganit Katrina në Shtetet e Bashkuara dhe tërmetit të Pakistanit në 2005; përmbytjet që prekin Ballkanin Perëndimor në 2014; dhe zjarret pyjore dhe përmbytjet që goditën Evropën në verën e vitit 2021.

Kliko: Linku për foto dhe detaje të tjera, në faqen zyrtare të NATO-s

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu