Hapësire reklamuese

Aktualitet

Pezullohen nga detyra 22 policë e shefa Komisariati në Vlorë dhe Himarë, “nuk panë” parcelën me 6700 rrënjë hashash anës rrugës: I përket grupit të fuqishëm

Shkruar nga Newsbomb
Foto ilustruese

22 policë e drejtues policie në Vlorë janë pezulluar e vënë në masë disiplinore pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me elementë kriminalë dhe nuk kanë asgjësuar një parcelë të madhe me drogë.

Pas një analize të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, drejtori Ardi Veliu ka dhënë urdhër që 12 prej punonjësve të Policisë të pezullohen nga detyra, ndërsa për 10 të tjerë është dhënë masë disiplinore.

Gazetari Elton Qyno shkruan se Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet për këtë rast disa muaj më parë pasi dyshohet se zyrtarët e Policisë kanë bashkëpunuar me punëtorët e hashashit dhe “mbikqyrësit” e parcelës me 6700 rrënjë dhe nuk kanë bërë asgjësimin e saj. Sipas burimeve, parcela ka qenë anës rrugës, në një zonë fushore dhe lehtësisht e dukshme nga efektivët e policisë.

I proceduar për rastin është vetëm pronari i tokës i cili kishte ngritur një stan delesh krah pracelës, ndërsa sipas gazetarit në ditët në vijim pritet të arrestohen zyrtarë të Policisë së Vlorës dhe Himarës pasi kanë pasur dijeni të plotë për parcelën dhe nuk kanë ndërhyrë për asgjësimin e saj. Raportohet se droga i përkiste një grupi të fuqishëm kriminal që vepronte në zonën e qytetit bregdetar.

Parcela u asgjësua me benzinë vetëm 4 ditë më parë, nga Policia, me mbikqyrjen e Prokurorisë së Vlorës.  Kështu, janë pezulluar nga detyra inspektorë zonash dhe shefa në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Mes të pezulluarve është drejtuesi i Komisariatit të Vlorës, Edmond Pjetri dhe ai i Himarës, Arjan Tase, shefi i krimeve në Himarë, shefi i stacionit policor në Selenicë, etj.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll