Mesfushori i Danimarkës dhe ekipit italian të Interit, Christian Eriksen ndodhet në spital në Kopenhagen pasi pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes kundër Finlandës.
Eriksen u shemb në fushë gjatë lojës në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa ekipet e ndihmës së shpejtë ushtruan masazh kardiak.
Ishin momente paniku dhe shqetësimi te lojtarët e të dy ekipeve dhe miliona sportdashës në mbarë botën.
UEFA tashmë ka dhënë informacion mbi shëndetin e lojtarit. “Eriksen është transferuar dhe stablizuar në spital”, janë shprehur zyrtarët e UEFA.
Edhe Federata Daneze e Futbollit njofton se Eriksen është stabilizuar në spital dhe tashmë pret kryerjen e testimeve të mëtejshme.
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar:
“E gjithë Federata Shqiptare e Futbollit, ekipi kombëtar dhe të gjithë tifozët tanë luten për Christian Eriksen”.
