Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se Isidor Heta, personi që akuzohet se mbrëmjen e djeshme shkaktoi aksidentin në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të Selitës, ka qenë gardist dhe nënoficer i eskortës së kryeministrit Sali Berisha në 21 Janar.
Fuoristrada me targa të Ministrisë së Brendshme që ai drejtonte mbrëmjen e djeshme, ka përplasur nga mbrapa makinën ku udhëtonte djali i gjyqtares së posaçme Irena Gjoka.
Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Garda e Republikës janë duke kryer hetime të thelluara për aksidentin, pasi Irena Gjoka është gjyqtarja që do të vendosë për fatin e Sali Berishës me 26 Dhjetor. Ish-kryeministri, në daljet televizive nuk i ka kursyer as sulmet ndaj gjyqtares.
Newsbomb.al mëson gjithashtu ekskluzivisht, se Isidor Heta ka shërbyer deri dy vite më parë si nënoficer Batalioni në Forcat e Armatosura dhe është i vitlindjes Nëntor 1981. Aktualisht, është e paqartë se çfarë detyre mban personi në fjalë, pasi mjeti është me targa të Ministrisë së Brendshme.
Fuoristrada me targa te Ministrise se Brendshme, fenelina dhe mbishkrim "Policia" qe drejtohej nga Isidor Heta dhe para saj, makina e Gardes
Gardistët që kanë qenë duke eskortuar djalin e gjyqtares së posaçme, e cila gëzon status të veçantë bashkë me familjen për shkak të detyrës që ushtron, janë shprehur se mjeti i cili ka shkaktuar aksidentin i ka ndjekur që nga Rinasi dhe sapo janë afruar në Selitë i ka përplasur.
“I bëmë me shenjë që të mos futej në grupin e eskortës, por ishte e pamundur”, ka shpjeguar një nga punonjësit e Gardës së Republikës. Madje, gardistët pretendojnë se mjetit ku ndodhej polici Isidor Heta i është kërkuar në tre episode që të distancohej nga grupi i eskortës, por ai nuk është bindur.
Newsbomb.al mëson se efektivi Isidor Heta ka qenë duke lëvizur me një makinë fuoristradë, lloji “Mitsubishi”, me targa të Ministrisë së Brendshme dhe e pajisur me fenelina e mbishkrime “Policia”. Pra, nuk bëhet fjalë për makinë private me targa të huaja, siç raportohet, por makinë të shtetit.
Gjyqtarja Irena Gjoka
Është e paqartë se çfarë roli ka aktualisht Isidor Heta në Policinë e Shtetit, pasi mjete të tilla si fuoristrada me të cilën ai u përfshi në aksident mbrëmjen e djeshme në autostradë nuk përdoret nga punonjësit e thjeshtë të Policisë Rrugore, por nga persona që kanë role drejtuese.
Sipas raportimeve, Isidor Heta shërben si efektiv i Policisë Rrugore në Elbasan.
Ngjarja vishet me mister edhe kur mendon se si ka mundësi që një person që ka shërbyer në Gardën e Republikës, si nënoficer në grupin e eskortimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, nuk ka qenë në gjendje të identifikonte urdhrat e kolegëve apo ish-kolegëve për të mos ndjekur eskortën.
Madje, si një punonjës i Policisë Rrugore Isidor Heta duhet ta dinte akoma më mirë se ndjekja nga pas e eskortave shtetërore, akoma më keq tentativa për të hyrë në grupin e tyre me një mjet tjetër, është rreptësisht e ndaluar, shkruan newsbomb.al.
Lexo edhe: Zbardhet dinamika: Makina ku ndodhej djali i gjyqtares Irena Gjoka u ndoq që në Rinas
Isidor Heta, deri ne vitin 2020 ka qene gardist, siç duket dhe nga veshja