Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar 55 persona deri më tani në vitin 2023, tha të premten organizata joqeveritare Iran Human Rights (IHR) me bazë në Norvegji, duke shtuar se vendimet kanë për qëllim të rrënjosin “terrorin” në vendin e tronditur nga protesta masive që nga shtatori.
Nga ana e saj, Amnesty International raportoi se tre të rinj që u dënuan me vdekje për pjesëmarrje në protesta – më i riu ishte vetëm 18 vjeç – pësuan “tortura të tmerrshme” në burg.
IHR tha se konfirmoi të paktën 55 ekzekutime gjatë 26 ditëve të para të vitit: katër të lidhura me protestat, 37 të tjera me rastet e drogës. OJQ-ja nuk ishte në gjendje të verifikonte arsyet e ekzekutimit të 14 personave të tjerë.
Të paktën 107 persona janë në rrezik të ekzekutimit për pjesëmarrje në protesta, shtoi IHR. “Çdo ekzekutim i Republikës Islamike është politik” dhe qëllimi kryesor është “të futet frikë dhe terror në shoqëri”, thotë organizata.
“Për të ndaluar këtë makinë shtetërore vrasëse, asnjë ekzekutim, politik apo tjetër, nuk duhet të tolerohet,” këmbënguli drejtori i IHR Mahmoud Amiri-Moghadam.
Aktivistët akuzojnë Iranin për përdorimin e dënimit me vdekje si një mjet frikësimi si pjesë e përpjekjes së regjimit për të shtypur protestat që kanë vazhduar të pandërprera që nga 16 shtatori, pas vdekjes në duart e policisë të 22-vjeçares iraniano-kurde Mahsha Amini, e cila ishte arrestuar sepse kishte hequr shaminë.