Nga Dr.Vasil Tole
Shpallja dje e qytetit të Përmetit "Qendër Historike", me Vendim të Këshillit të Ministrave është lëvizje në drejtimin e duhur, për vetë trashëgiminë kulturore të qytetit, e po aq për qytetarët përmetarë, të cilët prej vitesh presin të shohin se si dhe me se do të zhvillohet qyteti i tyre i vogël, por me emër të madh.
Koncepti i qendrës historike ka të bëjë me zemrën e një qytetërimi ku jeta vazhdon në mënyrë të pandërprerë prej qindra vitesh, aty ku gjenden dëshmi të prekshme të trashëgimisë kulturore materiale e shpirtërore të banorëve të saj.
Përmeti është një i tillë.
Vlera të ndërtimeve popullore e atyre të kultit të shpallura edhe nominalisht ndër vite si "Monumente Kulture", gjenden brenda hapësirës që nga dje gëzon statusin e ri të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, Përmeti mbetet Kryeqendra historike e muzikës me saze, e gatimeve të larmishme (të embla, të tharta apo të kripura qofshin), e padyshim vendi historik i arsimit e kulturës.
I vendosur në trekëndëshin e artë të turizmit kulturor të UNESCOs: Butrint-Gjirokastër-Berat, duket se Përmeti mund të bëjë diferencën me ta, pikërisht me ato produkte turistike e vlera që nuk mund të konkurrohen dot e si të tilla mund ti gjesh vetëm aty.
Prandaj statusi i mbrojtjes si "Qendër Historike" duhet të kuptohet nga të gjithë jo vetëm si status kufizues, por më së shumti si ndryshim filozofie dhe rrugë zhvillimi, cilësisht e ndryshme nga deri më tani.
Përmetit dhe përmetarëve ndryshimi duket se do t'ju vijë nga kultura, nga ajo kulturë që e mban qyteti dhe fshatrat përreth si materie ( Bënja, Leusa, Kosina etj) dhe kultura tjetër të cilën qytetarët e mbartin si vlerë shpirtërore, pikërisht ajo që e bëri Fan S. NOLIN të shkruante:
Do të hash e të bësh qejf,
sofrën shtruar si për mbret,
punëtorë e për hysmet,
të tillë gjen veç në Përmet!
#përmetiqendërhistorike
V E N D I M
PËR SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË PËRMETIT DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës , Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Përmetit, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të qytetit të Përmetit dhe të zonës së mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI