Hapësire reklamuese

Aktualitet

Përmbytje, bllokime rrugësh dhe mungesë energjie nga Lezha, në Tiranë e Korçë!

Shkruar nga Newsbomb
Përmbytje, bllokime rrugësh dhe mungesë energjie nga Lezha,

Reshjet e shiut që kanë nisur prej mesditës së djeshme, 3 Nëntor, kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Edhe përse situata dje ishte e qetë, Lezha dhe zonat përreth saj janë pushtuar këtë të shtunë nga moti i keq e me stuhi ere dhe shiu.

Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, deri në orët e paradites të së shtunës kanë rënë rreth 50 mm shi të shoqëruara me erë, duke krijuar situatë problematike në zonën turistike të Shëngjinit.

Për shkak të motit të keq, në qytetin e Lezhës dhe fshatra ka probleme me energjinë elektrike. Ekipet e OSHEE ndodhen në terren prej ditës së djeshme dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe avarive. Problematike janë ato zona me rrjet elektrik të amortizuar, ku janë thyer shtyllat e transmetimit.

Tirana nga ana tjetër vijon të jetë në një situatë më të favorshme sot, edhe përse reshjet e shiut kanë nisur prej 24 orësh dhe vijojnë dhe aktualisht. Intensiteti fatmirësisht është më i ulët dhe rrugët janë momentalisht me prezencë uji, por të kalueshme.

Problematike situata ka qenë pasditen e djeshme dhe gjatë natës, ku për shkak të stuhisë janë rrëzuar pemë që kanë bllokuar rrugët apo dhe mbi makinat e parkuara. Ekipet e Bashkisë së Tiranës dhe shërbimet mbështetëse kanë punuar gjithë natën dhe janë përsëri në terren.

Rruga e Arbrit në dalje të Dibrës dhe në hyrje të Tiranës ka pasur probleme pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj.

Rruga e inaguruar muaj më parë ka pasur prezencë të lartë uji në rrugë, rënie inertesh dhe në anën e Dibrës segmenti me asfalt është çarë në disa pjesë të tij. Në këtë rrugë ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve, por ajo është e hapur për të gjithë drejtuesit.

Lexo edhe: Moti i keq nuk ka ikur, sot stuhi me shtrëngata dhe erë e fortë nesër

Reshje të dendura shiu ka pasur dhe në Qarkun e Korçës. Intensiteti ka qenë i lartë dhe reshjet janë shoqëruar me erë të fortë, duke bërë që në disa fshatra të qarkut të ketë mungesë dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Ekipet e Bashkisë së Korçës kanë qenë në terren gjatë gjithë mbrëmjes dhe natës dhe aktualisht çdo rrugë është e kalueshme si për mjetet dhe këmbësorët.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese