I gjithë vendi, nga jugu në veri është prekur nga reshjet masive të shiut duke sjellë problematika në shumë zona. Në Mirditë, fshati Tarazh ka pësuar dëme të mëdha, madje disa banesa janë përmbytur.
Dëme janë shkaktuar edhe në tokat bujqësore të zonës dhe për këtë arsye Kryetari i bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi kërkon ndihmën e shtetit.
“Që në orët e para të mëngjesit jemi në terren. Ka disa banesa te përmbytura. Lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme për banorët e fshatit Tarazh dhe disa lagje të qytetit të Rrëshenit. Janë shkatërruar rrugë dhe ura që janë jetike për lëvizjen e banorëve.
Bashkia po monitoron situatën dhe po bën planet e ndërhyrjes. Dëmet e shkaktuara nga moti i keq janë të shumta, sidomos për rrugët dhe urat kërkojnë ndihmën, mbështetjen financiare të qeverisë për t’i riparuar”, tha Mëlyshi.
Albert Melyshi fitoi zgjedhjet më 14 maj në Mirditë, nën siglën e “Bashkë Fitojmë”. Në atë kohë ai u tregua i hapur për të bashkëpunuar me qeverinë për interesin e qytetarëve.