Sali Berisha i ka konsideruar falsifikime dhe manipulime përgjimet e dala në dritë dy ditë më parë, për tragjedinë e 21 Janarit 2011, ku katër protestues të opozitës socialiste u vranë me armë zjarri nga Garda e Republikës. Sipas kryeministrit të kohës, përgjimet janë krijesë e Ardi Veliut.
“Tabela shkrimi që ekzistojnë si audio-përgjim dhe që s’u paraqit kurrë audio. Është një manipulim dhe falsifikim. Njëlloj si shiriti i 21 Janarit, ku u tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit. Pra, është gjithçka krijesë e Ardi Veliut.
21 Janari përbën një nga ngjarjet më tragjike, përpjekjen për një grusht shteti, për të marrë pushtetin me dhunë. Qeveria e SHBA ka insistuar me të madhe në atë periudhë, që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës. Edi Rama është personi kryesor, organizator i dhunës.
Edi Ramën do ta ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune. Ai është i faktuar si organizator, në mënyrën më të pakundërshtueshme. Meqënëse shërbehet me krijime të Ardi Veliut, i them lëri ato, hajde hiq imunitetin dhe shko dëshmo për organizimin e puçit. I solli si mish për top. Natyrisht ngjarja është tragjike, atëherë dhe sot familjarët kanë ngushëllimet e mia”, u shpreh Berisha.
Kujtojmë se, këto përgjime të kryera sipas gazetarit Artan Hoxha nga vendet partnere të Shqipërisë, tregonin se Garda kishte marrë urdhër të hapte zjarr edhe pse me plumba të vërtetë. Artan Hoxha, autor i publikimit të këtyre përgjimeve për herë të parë, ka identifikuar identitetin e çdo personi që dëgjohet në audio.