Sali Berisha është konfirmuar në krye të Rithemelit, me 938 vota pro dhe 55 vota kundër.
Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso, i cili tha se procesi i votimit tashmë ka përfunduar.
“Procesi u mbyll ashtu siç edhe patët mundësi ta ndiqnit në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë. Në përfundim të procesit të numërimit është hartuar procesverbali përfundimtar dhe përmbledhës i këtij procesi, i cili përmban këto shifra. Numri i votuesve sipas listës së zgjedhësve, votuesve që u identifikuan që ishin në sallë, ishte 1203.
Rezulton se numri i votuesve që kanë votuar është 1000, sa është edhe numri i fletëve të votimit që u gjetën në 6 kutitë e votimit. Numri i votave të vlefshme është 993, 7 vota të pavlefshme.
Ndarja e votave është si më poshtë, kanë votuar pro 938 delegatë, kanë votuar kundër 55 delegatë. Në bazë të nenit 46 pika 9 e Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, rezulton se Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të parties, thuhet në deklaratë.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur ditën e sotme Kuvendin Kombëtar të PD, ku kërkoi votëbesimin për t’u zgjedhur kryetar i PD-së edhe pse pa vulë.
Berisha u fut në sallë nën shoqërinë e bashkëshortes, Liri Berisha dhe vajzës së tij, Argita Malltezi. Ish-kryeministri u ul në sallë afër “besnikëve” të tij si Flamur Noka, Ivi Kaso, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Jozefina Topalli etj.
E teksa kamerat kapën praninë e mbështetësve të Berishës, nuk ka rënë në “sy”, kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe mbështetësve tij. Edhe se Bardhi, mbështetësit e tij dhe grupi i Berishës, njëzëri kanë protestuar në Kuvend dhe Komisionet Parlamenatre, duket se nuk kanë pranuar ftesën për të qenë pjesë e këtij Kuvendi.
Berisha ne Kuvendin Kombetar
Por jo vetëm Bardhi, figura të tjera të njohura si Jorida Tabaku, Ferdinand Xhaferaj, Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj, nuk janë kapur nga kamerat në këtë Kuvend Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha.
Më herët Ervin Salianji edhe pse nuk ishte pjesë e kuvendit, reagoi duke përcjellë një mesazh, teksa shkruante se është e nevojshme t’i hapet rruga më të mirëve, profesionistëve me integritet, diasporës, të rinjve, shoqërisë.