Luçiano Boçi, përfaqësues i mandatuar nga Grupi i Rithemelimit për të diskutuar me aleatët opozitar për zgjedhjen e Presidentit, thotë se Enkelejd Alibeaj nuk ka asnjë tagër të marrë pjesë në negociata me PS.
“Zoti Alibeaj e kemi thënë, nuk ka tagër, nuk ka të drejtë të jetë përfaqësuesi i opozitës. Ai mund të jetë deputet i thjeshtë dhe e ka përfunduar misionin e tij dhe si Kryetar i Grupit Parlamentar. Negociatat janë politike, nuk bëhet fjalë për reformë ku negociatat janë të grupeve parlamentare”, tha Boçi.
Në fjalën e tij para mediave nga selia e PD, Luçiano Boçi tha se kolegët e tij demokratë po përdoren nga Edi Rama në një proces fals. “Këto negociata janë tallëse dhe nuk duhen konsideruar”, u shpreh deputeti demokrat.
Pjesë nga deklarata e Luçiano Boçit:
Niveli i diskutimit qesharak dhe tallës. Çdo negociatë duhet të jetë në përputhje me atë që thotë Kushtetuta. Dikush nga mazhoranca ka përcaktuar që opozita të ketë kandidatë në tre raundet e para, pastaj në raundet e tjera e ka mazhoranca.
Negociatat nuk mund të vazhdojnë në nivel parlamentar por në nivel politik. Konferenca e Kryetarëve e mbyll procedurën e saj kur përcakton raundet. Ka një kontradiktë, ndërsa zoti Balla, Gjiknuri e Spiropali janë të mandatuar nga Asambleja e PS, kurse zoti Alibeaj nuk ka asnjë mandat nga PD.
Këto negociata janë tallëse dhe nuk duhen konsideruar.
Ne kemi kërkuar konsensus politik. Ai arrihet kur pranohet pozicioni propozues i opozitës dhe pozicioni përzgjedhës i mazhorancës. Tallja është dhe në numrin tre, se i pari ka iku. Të paktën ta shkruanin dy raundet e tjera.
– Nëse Alibeaj siguron 20 firma dhe çon një emër, a do merrni pjesë?
Qëllimi ynë ka qenë të bëjmë një proces me dy drejtime, për zgjedhjen e Presidentit dhe bashkimin e partisë. Një emër që vjen jashtë proceseve kushtetuese, por nuk ka besimin. Emri i mirë duhet të shkojë në harmoni të plotë me një proces kushtetues të mirë.
Zoti Alibeaj e kemi thënë, nuk ka tagër, nuk ka të drejtë të jetë përfaqësuesi i opozitës. Ai mund të jetë deputet i thjeshtë dhe e ka përfunduar misionin e tij dhe si Kryetar i Grupit Parlamentar. Negociatat janë politike, nuk bëhet fjalë për reformë ku negociatat janë të grupeve parlamentare.
-Negociatat me aleatët e opozitarë?
Tryeza nuk ka vlerë në nivelin parlamentar, duhet të jetë në nivel politik. Kemi negociuar në lidhje me procesin, është konsideruar i tejkaluar. Kemi dakordësuar që në rastin kur i jepet opozitës e drejta propozuese, jo fallco si sot, ne mund të konvergojmë në një emër që mund të jetë president.