I ndjeri Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit të Kosovës Kadri Veseli, është përcjellë sot pasdite për në banesën e fundit.

Të pranishëm në ceremoninë mortore ishin familjarët si dhe një numër i madh qytetarësh e dashamirësish. Mungesa më e madhe ishte e djalit të tij, Kadri Veseli. Shtetari i Kosovës nuk mundi t’i japë nga afër lamtumirën e fundit të atit, pasi ndodhet në qelinë e paraburgimit në Hagë.
Fazli Veseli u nda nga jeta mëngjesin e sotëm, në të njëjtën ditë kur lindi, 94 vite më parë. Djali i tij Kadri Veseli e takoi për herë të fundit të atin në Spitalin e Mitrovicës në maj të këtij viti.
Gjykata Speciale e liroi atë përkohësisht për të bërë këtë vizitë, e për t’u rikthyer sërish më pas në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku po mbahet i mbyllur pasi mbi të rëndojnë akuza të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë dhe pas Luftës në Kosovë.